Mospërputhja e përmbajtjes midis versionit në gjuhën shqipe dhe atij në gjuhën serbe të faqes zyrtare të internetit, përkthimi i dobët, si dhe mungesa e dokumenteve kyçe në gjuhën serbe — duke përfshirë udhëzimet administrative, aktet ligjore dhe aplikacionet për punësim — janë përfundimet pas analizës së faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Ekonomisë. Problemi i mospërputhjes së përmbajtjes nuk kufizohet vetëm në formën e shkruar, por edhe materialet video janë në mënyrë dërrmuese në gjuhën shqipe, ndërsa informacionet në gjuhën serbe janë të kufizuara në minimum.
Për problemin e shkeljes sistematike të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë është tërhequr vëmendja ndër vite, megjithatë ai vazhdon të ekzistojë, pavarësisht kornizës ligjore[1] që garanton përdorim të barabartë të gjuhës shqipe dhe asaj serbe. Në këtë kontekst, komunitetet joshumicë, konkretisht ato që komunikojnë në gjuhën serbe, mbesin të privuara nga informacionet kyçe. Për më tepër, kjo është konstatuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën[2] për vitin 2023, ku në disa pika theksohet ky problem.
Për këtë arsye, organizata joqeveritare Aktiv, Radio Kim, Iniciativa e Re Shoqërore (NSI), Radio Gorazhdevc dhe Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC), vazhdojnë fushatën e tyre të avokimit publik me qëllim që të nxisin institucionet që të adresojnë këtë problem shumëvjeçar. Këtë javë në fokus është Ministria e Ekonomisë, dhe pas shqyrtimit të faqes së saj zyrtare dhe rrjeteve sociale, konstatuam se po zbatohet një praktikë pothuajse identike – prania e gjuhës serbe është minimale, edhe pse ajo, krahas shqipes, është gjuhë zyrtare në Kosovë.
Respektimi i përdorimit të gjuhës serbe në Ministrinë e Ekonomisë shkon përtej një obligimi të thjeshtë administrativ. Ai përfaqëson një çështje themelore që ndikon drejtpërdrejt në kushtetutshmërinë, funksionalitetin e sistemit dhe kohezionin socio-ekonomik të shoqërisë. Zbatimi jo i duhur i dygjuhësisë gjeneron barriera sistematike që minojnë parimet e barazisë, transparencës dhe sigurisë juridike për të gjithë qytetarët, veçanërisht për anëtarët e komunitetit që komunikojnë në gjuhën serbe. Mospërfillja e dispozitave ligjore dhe kushtetuese për gjuhën në këtë ministri krijon një çekuilibër të drejtpërdrejtë në qasjen ndaj informacionit dhe burimeve thelbësore. Për shembull, qasja në informacionet për mundësitë ekonomike dhe përkrahjen bëhet selektive.
Mungesa e informacionit gjithëpërfshirës në gjuhën serbe për thirrjet për subvencione, programet e përkrahjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, stimujt apo rregulloret specifike për investime, efektivisht përjashton një pjesë të konsiderueshme të popullatës nga pjesëmarrja aktive në jetën ekonomike. Po ashtu, problemi manifestohet edhe në transparencën e proceseve të punësimit. Dygjuhësia e papërshtatshme në shpalljet e konkurseve për vende pune, përshkrimet e punëve dhe formularët e aplikimit në kanalet zyrtare diskriminon anëtarët e komunitetit që përdorin gjuhën serbe në qasjen ndaj punëve publike. Kjo jo vetëm që cenon parimin e barazisë, por gjithashtu ia mohon institucionit mundësinë për të tërhequr kuadro cilësore nga të gjitha komunitetet.
Çfarë zbuluam në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë?
Zëvendësministrat[3]: Në versionin në gjuhën serbe të faqes, në pjesën që i referohet zëvendësministrave, mungojnë informacionet për një zëvendësministër që janë të pranishme në versionin në gjuhën shqipe.
Organogrami[4]: Organogrami është i disponueshëm vetëm në versionin shqip të faqes, ndërsa në atë në gjuhën serbe mungon plotësisht.
Përmbajtje e pakoordinuar: Në kategorinë[5] “Komisioni Ndërministror për Ndërmarrjet Publike”, përmbajtja në versionin serb të faqes nuk përputhet me atë në versionin shqip — në faqen shqip janë të paraqitura shumë më tepër informacione.
Përkthim i dobët: Kategoria[6] me titull “Komisioni Ndërministror për Privatizim – NP” jo vetëm që është përkthyer keq në gjuhën serbe, por në versionin serb të faqes nuk përmban asnjë informacion, ndërkohë që në versionin shqip të gjitha të dhënat janë të paraqitura siç duhet.
Ndërmarrjet publike qendrore[7]: Në këtë kategori është qartë i dukshëm shkelja e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pasi versioni në gjuhën serbe i faqes, për dallim nga ai në gjuhën shqipe që përmban informacione të shumta, nuk përmban asnjë përmbajtje përveç titullit.
“Ndërmarrjet Publike dhe Ujitja Rajonale[8]“: Kjo kategori jo vetëm që është përkthyer në mënyrë jashtëzakonisht të dobët në gjuhën serbe, por në versionin serb të faqes nuk përmban asnjë informacion përveç titullit. Përkundrazi, në versionin shqip të faqes janë të paraqitura në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat për ujësjellësit rajonalë.
Shërbimi Gjeologjik i Kosovës[9]: Një tjetër shembull i mospërputhjes, në versionin serb të faqes mungon seksioni me vendimet, i cili është i paraqitur në mënyrë të rregullt në versionin në gjuhën shqipe.
Inspektorati për Energjetikë[10]: Situata është identike edhe këtu, pasi nuk ka përputhje përmbajtjeje mes versioneve gjuhësore të faqes, versioni në shqip ofron ndjeshëm më shumë informacion në krahasim me atë në serbisht, ku të dhënat janë të kufizuara.
Projekti “OIE”[11]: Ky projekt përfaqëson një tjetër shembull të mospërputhjes ndërmjet versionit serb dhe atij shqip të faqes, ndërsa versioni shqip ofron informacion të detajuar për të gjitha segmentet e projektit, në versionin serb shumë nga lidhjet, ndonëse të titulluara në gjuhën serbe, nuk janë funksionale dhe nuk mund të hapen.
Dokumentet Strategjike[12]: Kategoria “Dokumentet Strategjike” është një nga shembujt më të qartë të shkeljes së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe mospërputhjes së përmbajtjes mes versioneve serbe dhe shqipe të faqes. Në versionin serb janë të disponueshëm vetëm 13 dokumente, ndërsa në atë shqip janë të publikuara gjithsej 29. Veçanërisht bie në sy që bilanci vjetor i fundit i Ministrisë në gjuhën serbe është i disponueshëm vetëm për vitin 2016.
Aplikimi për punësim: Ky dokument, edhe pse i titulluar në gjuhën serbe, në të vërtetë nuk është i disponueshëm në faqe, duke e bërë të pamundur marrjen e informacionit të nevojshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë për punë dhe që përdorin gjuhën serbe.
Projekte[13]: Një tjetër shembull i mospërputhjes ndërmjet versioneve në gjuhën serbe dhe shqipe të faqes lidhet me dokumentet që kanë të bëjnë me projekte, studime, potenciale dhe fushata promovuese. Një numër i madh i këtyre dokumenteve është i disponueshëm vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa në versionin serb, përveç titujve, shumë prej tyre mungojnë.
Publikimet[14]: Për dallim nga versioni në gjuhën shqipe i faqes, në atë në gjuhën serbe mungon dokumenti që lidhet me planin e veprimit për burimet e rinovueshme të energjisë.
Projekti për Efiçiencën e Energjisë dhe Burimet e Rinovueshme[15]: Ky projekt përfaqëson gjithashtu një nga shembujt më të theksuar të shkeljes së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Dokumentet që lidhen me draftet, menaxhimin e projekteve, vendimet dhe informacionet për debatet publike mungojnë plotësisht në versionin në gjuhën serbe të faqes, ndërsa në atë në gjuhën shqipe janë të gjitha të disponueshme. Për më tepër, pjesa në gjuhën shqipe përmban edhe informacione bazë për projektin, përfshirë partnerët, objektivat zhvillimore, rekomandimet dhe implementimin, gjë që nuk është rasti në pjesën në gjuhën serbe.
Projektet me Interes në kuadër të Komunitetit të Energjisë[16]: Kjo kategori tregon një model të njëjtë të shkeljes së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve si edhe kategoria e përmendur më parë. Në versionin në gjuhën serbe të faqes, nënkategoritë përmbajnë vetëm titujt dhe dy lidhje, nga të cilat njëra është jofunksionale[17]. Në anën tjetër, në versionin në gjuhën shqipe të faqes të gjitha dokumentet dhe nënkategoritë janë të disponueshme dhe funksionale.
Aktet nënligjore[18]: Nga analiza e kësaj kategorie u konstatua mospërputhje mes versioneve serbe dhe shqipe të faqes. Në gjuhën shqipe janë të publikuara dy dokumente, ndërsa në versionin serb është i disponueshëm vetëm një, dhe mungon dokumenti me titullin “Kodi etik i menaxhimit për ndërmarrjet publike”.
Udhëzimet administrative[19]: Një tjetër shembull i theksuar i mospërputhjes së dokumenteve ndërmjet dy gjuhëve zyrtare. Në pjesën në gjuhën serbe të faqes, nga dhjetëra tituj dokumentesh të listuar, vetëm dy janë funksionalë, ndërsa në versionin shqip thuajse çdo dokument është i disponueshëm.
Rregulloret[20]: Në versionin serb të faqes janë të ngarkuara katër dokumente, nga të cilat dy nuk janë të aksesueshme, ndërsa në versionin shqip janë publikuar shtatë dokumente që mund të hapen pa probleme.
Minierat[21]: Dokumentet që lidhen me Ligjin për Minierat, udhëzimet administrative, rregulloret dhe vendimet janë pothuajse të munguara në versionin serb, ndërsa në versionin shqip janë të gjitha të ngarkuara në mënyrë të rregullt dhe funksionale.
Legjislacioni – TIK[22]: I njëjti model është vërejtur edhe në këtë kategori. Është konstatuar një disproporcion i madh në dokumentet e ngarkuara në gjuhën serbe dhe në atë shqipe.
Galeria e videove[23]: Kjo kategori gjithashtu tregon një mospërputhje të theksuar në përmbajtjen e ofruar në versionet gjuhësore të faqes. Në versionin shqip janë të ngarkuara dhjetëra materiale video, ndërsa në atë serb janë të disponueshme vetëm shtatë. Për më tepër, tre prej këtyre shtatë videove kanë tituj në gjuhën shqipe.
Rrjetet sociale
Facebook[24]: Sa i përket prezencës së Ministrisë së Ekonomisë në rrjetin social Facebook, është vërejtur se Ligji për përdorimin e gjuhëve respektohet vetëm pjesërisht. Emri i faqes është ekskluzivisht në gjuhën shqipe, dhe analiza e postimeve dhe aktiviteteve tregon se praktika e informimit në dy gjuhë nuk zbatohet në mënyrë konsistente. Situata është veçanërisht problematike sa i përket përmbajtjes video — pothuajse të gjitha materialet video janë publikuar vetëm në gjuhën shqipe, si në tituj ashtu edhe në përmbajtje. Përjashtim përbëjnë videot që lidhen me veriut e Kosovës, të cilat përmbajnë titra në gjuhën serbe.
X (ish-Twitter): Aktiviteti i kësaj ministrie në rrjetin social X[25], është edhe më i dobët krahasuar me Facebook-un. Gati të gjitha postimet, përfshirë edhe emrin e plotë të ministrisë, janë të disponueshme vetëm në gjuhën shqipe dhe një gjuhë që nuk është zyrtare në Kosovë — anglisht. Gjuha serbe mungon tërësisht, pa asnjë postim apo përmbajtje në atë gjuhë.
YouTube[26]: Sa i përket kanalit zyrtar në YouTube të Ministrisë së Ekonomisë, vërehet mungesë pothuajse e plotë e përmbajtjes në gjuhën serbe, çka përbën një shembull serioz të shkeljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Pothuajse të gjitha materialet video të ngarkuara janë vetëm në gjuhën shqipe — si në përmbajtjen e folur, ashtu edhe në përshkrimet poshtë videove. Për më tepër, asnjë nga videot nuk përmban përkthim apo titra në gjuhën serbe.
Pse është kjo e rëndësishme?
Edhe pse në dy analizat e mëparshme kemi evidentuar shembuj të praktikave të mira në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ky monitorim tregon se raste të tilla mbeten përjashtim dhe jo rregull. Përkundrazi, praktika mbizotëruese tregon një neglizhencë sistematike të obligimit për përdorim të barabartë të gjuhës serbe në punën e institucioneve të Kosovës. Kjo analizë e konfirmon më tej këtë fakt, duke theksuar se gjuha serbe vazhdon të trajtohet si gjuhë sekondare apo madje inekzistente në shumë segmente të komunikimit publik, duke rrezikuar drejtpërdrejt të drejtat gjuhësore të qytetarëve të Kosovës që flasin serbisht. Një praktikë e tillë pamundëson informimin e barabartë të komuniteteve joshumicë dhe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ky ligj përcakton qartë se shqipja dhe serbishtja janë gjuhë zyrtare dhe të barabarta në Kosovë. Me praktikën shumëvjeçare të injorimit të këtij problemi dhe heshtjes përballë shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave gjuhësore, qytetarëve të përkatësisë serbe dhe komuniteteve të tjera joshumicë që mbështeten në informatat në gjuhën serbe po u mohohen të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligje për qasje të barabartë në informata me rëndësi publike.
Për këtë arsye, është e domosdoshme që në vend të përdorimit të përkthyesve të pakualifikuar ose të përkthimeve automatike (Google Translate), të angazhohen përkthyes profesionistë që do të sigurojnë përkthim cilësor dhe të qartë të përmbajtjeve në gjuhën serbe. Krijimi i një sistemi funksional për përkthim do të mundësojë qasje të papenguar në informatat me rëndësi publike dhe, më e rëndësishmja, institucionet do të dëshmojnë në praktikë përkushtimin e tyre për respektimin e plotë jo vetëm të të drejtave gjuhësore, por edhe të të drejtave themelore të njeriut – të drejtën e komuniteteve joshumicë të garantuar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut[27].
Ndërkohë që organizatat joqeveritare, me burime të kufizuara, ofrojnë rregullisht përmbajtje në tri gjuhë për aktivitetet e tyre, institucionet e Kosovës, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, me buxhete dhe burime shumëfish më të mëdha, padyshim kanë pasur mjete të mjaftueshme për të siguruar përkthim adekuat në gjuhën serbe.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje Ministrisë së Ekonomisë që sa më shpejt të fillojë procesin e harmonizimit të përmbajtjeve të publikuara në faqen e internetit dhe rrjetet sociale në të dy gjuhët zyrtare dhe të sigurojë qasje të barabartë në informata.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Zyrës së Kryeministrit që të shmangë retorikën politike pa rezultate konkrete, të braktisë angazhimet deklarative për të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe të udhëzojë institucionet për të harmonizuar përmbajtjet gjuhësore në të gjitha nivelet e përcaktuara me lig.
Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Zyrës së Komisionerit për Gjuhë që të fillojë zbatimin e dispozitave ligjore brenda kompetencave të saj. Kjo përfshin ndërtimin e një mjedisi institucional që respekton obligimet kushtetuese dhe ligjore, si dhe mbron, promovon, ruan dhe zbaton të drejtat gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Edhe një herë, inkurajojmë të gjithë qytetarët që të përfshihen aktivisht në këtë proces dhe të raportojnë të gjitha parregullsitë gjuhësore tek institucionet kompetente, siç janë Zyra e Komisionerit për Gjuhë (zkgj.kpj@gmail.com) dhe Zyra e Avokatit të Popullit (info.oik@oik-rks.org ). Po ashtu, i ftojmë qytetarët që nëse hasin në parregullsi gjuhësore, të kontaktojnë edhe NGO Aktiv (office@ngoaktiv.org), dhe në këtë mënyrë të bashkohen me apelin për respektimin e normave të përcaktuara me ligj.
[1] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/ZAKON_BR._02_L-37_O_UPOTREBI_JEZIKA1346.pdf
[2] https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/c790738e-4cf6-4a43-a8a9-43c1b6f01e10_en?filename=Kosovo%20Report%202024.pdf
[3] https://me.rks-gov.net/sr/zamenici-ministara/
[4] https://me.rks-gov.net/organogrami/
[5] https://me.rks-gov.net/njpmnp/sr/inter-ministarskoj-komisiji-za-jp/
[6] https://me.rks-gov.net/njpmnp/sr/medjuministarski-komisiji-za-privatizaciju-jp/
[7] https://me.rks-gov.net/njpmnp/sr/centralna-javna-preduzeca/
[8] https://me.rks-gov.net/njpmnp/sr/javna-preduzeca-i-regionalnog-navodnjavanje/
[9] https://me.rks-gov.net/sr/geoloska-sluzba-kosova/
[10] https://me.rks-gov.net/sr/inspektorat-za-energetiku/
[11] https://me.rks-gov.net/sr/strategija/
[12] https://me.rks-gov.net/bre/
[13] https://me.rks-gov.net/bre/
[14] https://me.rks-gov.net/bre/
[15] https://me.rks-gov.net/projekti-i-kosoves-per-eficience-te-energjise-dhe-energji-te-riperteritshme/
[16] https://me.rks-gov.net/sr/projekti-od-interesa-u-okviru-energetske-zajednice-peci/
[17] https://www.spp-ks.net/
[18] https://me.rks-gov.net/sr/podzakonski-aktovi-doneti-od-ministarstvo-ekonomskog-razvoja/
[19] https://me.rks-gov.net/energjia-2/
[20] https://me.rks-gov.net/sr/energia/
[21] https://me.rks-gov.net/sr/rudnici/
[22] https://me.rks-gov.net/sr/ikt/
[23] https://me.rks-gov.net/sr/video-galerija/
[24] https://www.facebook.com/MinistriaeEkonomise/?locale=hr_HR
[25] https://x.com/EconomyRks
[26] https://www.youtube.com/@ministriaeekonomiseme2700/videos
[27] https://www.ohchr.org/en/human-rights/universal-declaration/translations/serbian-latin-srpski