Dokumentet kyçe, udhëzimet administrative dhe informacionet mbi përfitime të caktuara mungojnë pothuajse tërësisht – ky është përfundimi pas analizës së faqes zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Në rastet kur përkthimet ekzistojnë, ato shpesh janë të paplota, të vjetruara ose dokumentet nuk janë të disponueshme për shkarkim. Ky problem nuk kufizohet vetëm në dokumentacionin e shkruar, por edhe materialet video dhe format e tjera të komunikimit janë kryesisht në gjuhën shqipe, ndërsa informacionet në gjuhën serbe janë të reduktuara në minimum.

​Problemi i shkeljes sistematike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë është evidentuar prej vitesh, por vazhdon të ekzistojë pavarësisht kornizës ligjore[1] që garanton përdorimin e barabartë të gjuhës serbe dhe shqipe. Në këtë drejtim, komunitetet joshumicë, në këtë rast ato që komunikojnë në gjuhën serbe, mbeten të privuara nga informacionet kyçe. Për më tepër, kjo është konstatuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian[2] për Kosovën për vitin 2023, ku në disa pika theksohet ky problem.

Prandaj, OJQ Aktiv, Radio Kim, Iniciativa e Re Shoqërore (NSI) dhe Radio Gorazhdevcë vazhdojnë fushatën e avokimit publik me qëllim që institucionet të nxiten për të zgjidhur këtë problem shumëvjeçar. Këtë javë në fokus është Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe pas shqyrtimit të faqes së tyre zyrtare dhe rrjeteve sociale, konstatuam se zbatohet pothuajse e njëjta praktikë e dëmshme për të cilën kemi paralajmëruar në rastet e mëparshme: KQZ, MPB, IPK dhe PK.

Mungesa e informacionit, udhëzimeve administrative dhe dokumenteve të tjera kyçe në gjuhën serbe ndikon drejtpërdrejt te qytetarët e Kosovës që komunikojnë në këtë gjuhë, duke kufizuar mundësinë e tyre për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në programet dhe përfitimet që ofron Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Duke qenë se ligji e përcakton qartë qasjen e barabartë në informacion në të dy gjuhët zyrtare, kjo praktikë jo vetëm që përbën shkelje të obligimeve ligjore, por gjithashtu çon në diskriminimin e një komuniteti të caktuar në qasjen në subvencione, grante dhe stimuj të tjerë që kjo ministri ofron në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, me të cilën do të merremi javën e ardhshme.

​Pjesa më e madhe e mediave që raportojnë në gjuhën serbe në jug të Ibrit nuk janë kontaktuar kurrë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në asnjë formë (njoftim për shtyp, komunikatë, ftesë për konferencë për media). Informacionet e pakta lidhur me punën e këtij dikasteri shumë të rëndësishëm, duke pasur parasysh mbështetjen e konsiderueshme ekonomike të Kosovës në bujqësi, kanë arritur te gazetarët në një periudhë të shkurtër kohore në mënyrë sporadike nga kabineti i Kryeministrit të Kosovës, por kurrë nga autoritetet përkatëse. I njëjti problem është vërejtur edhe në komunikimin me mediat nga veriu i Kosovës – sipas deklaratave të gazetarëve, ministria nuk mban komunikim të rregullt me ta. Është shënuar vetëm një intervistë e vetme që ministri Faton Peci ka dhënë vitin e kaluar për një portal në veri të Kosovës që raporton në gjuhën serbe.

 

Çfarë zbuluam në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural?

Faqe interneti[3]: Vetë emri i ministrisë në pjesën e faqes në gjuhën serbe paraqitet ekskluzivisht në gjuhën shqipe. E njëjta situatë vlen edhe për informacionet e kontaktit në fund të faqes. Gjithashtu, disa kategori në këtë pjesë të faqes janë në gjuhën angleze. Është shumë e dukshme përdorimi i pasaktë i shkronjave të mëdha dhe i shenjave diakritike karakteristike për gjuhën shqipe. Renditja e gjuhëve zyrtare në menynë rënëse nuk është e përshtatshme, pasi gjuha serbe renditet në vendin e tretë – pas gjuhës angleze, e cila nuk është gjuhë zyrtare në Kosovë. Ka vonesa në përkthimin e lajmeve në gjuhën serbe, ndërsa disa prej tyre asnjëherë nuk përkthehen.

Raportet dhe publikimet: Edhe pse faqja ka një seksion të dedikuar për gjuhën serbe, të gjitha titujt e raporteve dhe publikimeve janë të paraqitura ekskluzivisht në gjuhën shqipe[4], ndërkohë që disa përmbajtje nuk janë të qasshme[5].

Konkurse: Sa i përket kësaj kategorie, vërehet një dallim i madh në numrin e dokumenteve në gjuhën serbe dhe atë shqipe. Ndërkohë që në gjuhën shqipe[6] janë të bashkangjitura mbi 150 dokumente, në gjuhën serbe janë të disponueshme vetëm tetë[7], prej të cilave tri mbajnë tituj në gjuhën shqipe.

Mandati i Ministrisë: Përmbajtja e kategorisë “Historia dhe mandati” në pjesën e faqes në gjuhën serbe nuk ekziston[8], gjegjësisht, përveç titullit, nuk ka asnjë tekst shoqërues. Duhet theksuar se e njëjta situatë vërehet edhe në pjesën e faqes së internetit[9] në gjuhën shqipe.

Sekretarja e përgjithshme: Informacionet për sekretaren e përgjithshme të ministrisë në versionin serb të faqes janë paraqitur në formë dukshëm të shkurtuar [10], pa fotografi dhe me vetëm tre të dhëna bazë – emri dhe mbiemri, pozita dhe adresa elektronike. Ndërsa nga ana tjetër, në versionin shqip të faqes është publikuar një një biografi e detajuar[11] me një spektër të gjerë informacionesh mbi kualifikimet, arsimin dhe përvojën profesionale të kësaj zyrtare.

Departamentet: Kur bëhet fjalë për departamentet dhe sektorët e kësaj ministrie, vërehet se në pjesën në gjuhën serbe të faqes mungon një kategori – marrëdhëniet me publikun. Gjithashtu, në versionin serb të faqes[12] në kategorinë e dedikuar për njësinë për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi, është i disponueshëm vetëm kontakti i personit tek i cili punonjësit mund të drejtohen. Në të kundërt, në versionin shqip[13] të faqes janë të paraqitura të dhëna të detajuara mbi mandatin, detyrat kryesore dhe bazën ligjore të këtij sektori.

Organogrami: Edhe pse organograma në versionin serb të faqes është paraqitur në gjuhën serbe, rezolucioni i saj është i ulët, gjë që e vështirëson leximin. Në dallim nga versioni në gjuhën shqipe të faqes, ku organograma është e paraqitur qartë dhe me rezolucion të përshtatshëm[14], në versionin serb[15] përdoruesit duhet ta zmadhojnë disa herë për të mundur të lexojnë informacionet.

Informacionet për zëvendësministrat: Në versionin serb të faqes, informacionet për zëvendësministrat nuk janë të disponueshme. Duke klikuar në këtë kategori shfaqen të dhëna[16] për punëtori të mbajtura dhe shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve, në vend të informacioneve përkatëse të paralajmëruara. Në të kundërt, në versionin shqip[17] të faqes janë paraqitur në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat, duke përfshirë fotografitë, biografitë, përvojën e punës, si dhe informacione për asistentët dhe këshilltarët politikë. Në fakt, e gjithë kjo kategori është plotësisht e paqasshme në gjuhën serbe.

Agjensitë[18]: Një nga shembujt më të theksuar të shkeljes së normave gjuhësore është kategoria “Agjencitë”. Në pjesën e faqes në gjuhën serbe nuk ekziston asnjë informacion për Agjencinë e Pylltarisë (Agjencia e Pyjeve të Kosovës) dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ashtu si as për pagesat direkte dhe projektet për zhvillim rural.

Departamentet: Situata është identike edhe me kategorinë “Odeljenja”. Përveç faktit që është përkthyer si “Departmani”, kjo kategori në gjuhën serbe[19] ofron vetëm 7 nënkategori, ndërkohë që në pjesën në gjuhën shqipe[20] të faqes informacionet janë paraqitur gjerësisht dhe në mënyrë të detajuar në plot 36 kategori.

Subvencionet: Nëse dëshironi të informoheni për subvencionet që ofron Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në gjuhën serbe, do të përballeni me një pengesë gjuhësore, pasi pothuajse të gjitha titujt e dokumenteve të bashkangjitura janë të disponueshëm ekskluzivisht në gjuhën shqipe[21]. Për më tepër, edhe nëse përpiqeni t’i shkarkoni apo hapni, kjo nuk do të jetë e mundur, pasi dokumentet janë të padisponueshme[22] ose nuk ekzistojnë fare në faqen e internetit.

Legjislacioni: Edhe në këtë kategori, situata është gjuhësisht asimetrike. Para së gjithash, krahasuar me gjuhën shqipe – në versionin në gjuhën serbe mungojnë dy kategori. Gjithashtu, informacionet për ligjet[23], rregulloret[24] (është i bashkangjitur vetëm një dokument) dhe strategjitë nuk ekzistojnë[25] megjithëse janë të listuara si kategori. Në të njëjtën kohë, ndryshe nga pjesa në gjuhën shqipe e faqes, në versionin në gjuhën serbe mungojnë kategoritë “Udhëzime administrative” dhe “Vendime”.

Tenderat[26]: Nga nëntë dokumentet e bashkangjitura që lidhen me tenderët në pjesën e faqes në gjuhën serbe – asnjë nuk është në gjuhën serbe, përkatësisht katër janë në gjuhën shqipe dhe pesë në gjuhën angleze. Për më tepër, gjysmën e dokumenteve nuk është e mundur t’i shkarkoni. Gjithashtu, kategoria “Kontrata”, ndryshe nga pjesa në gjuhën shqipe të faqes[27], nuk ekziston fare në versionin në gjuhën serbe.

Udhëzuesit online për grantet: Aplikacioni[28] dhe udhëzuesit online[29] dhe fushata informuese për aplikimin për grante të caktuara, në pjesën hyrëse të faqes në gjuhën serbe – janë të disponueshme ekskluzivisht në gjuhën shqipe.

Rrjetet sociale

Facebook[30]: Emri i vetë institucionit, si dhe pjesa hyrëse e faqes zyrtare, janë të disponueshme ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Përshkrimi[31] i ministrisë, duke përfshirë historikun dhe mandatin e saj, gjithashtu nuk është i përkthyer në gjuhën serbe. Kur bëhet fjalë për aktivitetet dhe publikimet[32] e informacionit, niveli i disponueshmërisë në gjuhën serbe ndryshon varësisht nga tema. Publikimet që kanë të bëjnë me aktivitetet[33] e ministrit dhe zyrtarëve, takimet apo paralajmërimet për kushtet atmosferike[34] që mund të ndikojnë negativisht në bujqësi janë të disponueshme vetëm në gjuhën shqipe. Përkthimi në gjuhën serbe ekziston vetëm për informacionet që kanë të bëjnë me subvencionet[35] dhe grantet që ndan ministria. Pothuajse i gjithë materiali video[36], përfshirë fushatat promovuese, vizitat[37] në fermat bujqësore[38] dhe aktivitetet tjera të ministrisë, publikohet në gjuhën shqipe. Përjashtim përbëjnë disa publikime të rralla[39] që lidhen me veriun e Kosovës.

X (Ish-Twitter): Sa i përket kësaj rrjete sociale, gjatë kërkimit kemi hasur në gjithsej tre llogari. E para[40] ndërsa e dyta nga viti 2015[41]. Megjithatë, llogaria e tretë – e cila është e bashkangjitur në faqen zyrtare të ministrisë – nuk ekziston[42]. Në përgjithësi, situata në lidhje me gjuhën është identike në të dy llogaritë aktive – nuk ka asnjë shenjë të gjuhës serbe, pra të gjitha publikimet dhe aktivitetet janë vetëm në gjuhën shqipe.

YouTube[43]: Situata në kanalin zyrtar në YouTube të ministrisë është disi më e mirë në krahasim me rrjetet e tjera sociale të analizuara më herët, por gjithsesi ekzistojnë probleme të konsiderueshme në qasjen ndaj përmbajtjes në gjuhën serbe. Në shumë prej materialeve video të publikuara mungon plotësisht përkthimi në gjuhën serbe, e shpesh nuk ka as përshkrim bazik që do të tregonte për temën e videos apo informacionet kyçe që ajo përmban. Gjithashtu, është e dukshme një disproporcion në numrin e videove të disponueshme në gjuhën shqipe dhe në atë serbe. Fushatat informuese, raportimet nga terreni, incizimet e vizitave të zyrtarëve dhe vizitat në fermat bujqësore janë kryesisht të disponueshme vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa përmbajtja në gjuhën serbe është jashtëzakonisht e rrallë.

Pse është kjo e rëndësishme?

Siç kemi theksuar edhe në analizat tona të mëparshme, edhe ky vazhdim i fushatës sonë konfirmon se neglizhimi sistematik i gjuhës serbe në institucionet e Kosovës përbën një problem serioz. Një praktikë e tillë pamundëson informimin e barabartë të komuniteteve joshumicë dhe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve[44].

Ky ligj përcakton qartë se gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhë zyrtare të barabarta në Kosovë, dhe se me praktikën shumëvjeçare të injorimit të këtij problemi dhe heshtjes përballë shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave gjuhësore, qytetarëve të përkatësisë serbe dhe komuniteteve të tjera joshumicë që mbështeten në informacionet e disponueshme në gjuhën serbe, u mohohen të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe me ligj për qasje të barabartë në informacionet me rëndësi publike.

Prandaj është e rëndësishme që në vend të praktikës së përdorimit të përkthyesve të pakualifikuar ose përkthimeve përmes Google Translate, të angazhohen përkthyes të kualifikuar që do të sigurojnë përkthim cilësor dhe të qartë të përmbajtjes në gjuhën serbe. Me krijimin e një sistemi funksional për përkthim, do të mundësohet qasje e papenguar në informacionet me rëndësi publike dhe, edhe më e rëndësishme, institucionet do të dëshmojnë në praktikë përkushtimin e tyre për respektimin e plotë jo vetëm të të drejtave gjuhësore, por edhe të të drejtave themelore të njeriut – të drejta të garantuara për komunitetet joshumicë me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut[45].

Ndërkohë që organizatat joqeveritare, me burime të kufizuara, rregullisht sigurojnë prezantimin tregjuhësor të aktiviteteve të tyre, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka pasur një buxhet prej 35,968,168[46] eurosh për vitin 2022, padyshim ka pasur mjete të mjaftueshme për të siguruar përkthimin adekuat në gjuhën serbe.

Prandaj u bëjmë thirrje Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që sa më shpejt të nisë procesin e harmonizimit të versioneve gjuhësore të informacioneve të publikuara në faqen e saj zyrtare dhe në rrjetet sociale, duke mundësuar qasje të barabartë në informacion në të dy gjuhët zyrtare.

Edhe këtë herë i bëjmë thirrje Zyrës së Kryeministrit që të shmangë retorikën politike pa rezultate konkrete, të braktisë parimin e përkushtimit deklarativ ndaj respektimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe t’u kërkojë institucioneve përkatëse të harmonizojnë normat gjuhësore në të gjitha nivelet e përcaktuara me ligj.

Në të njëjtën kohë, apelojmë edhe te Zyra e Komisionerit për Gjuhët që të fillojë zbatimin e dispozitave ligjore në kuadër të kompetencave të saj. Kjo përfshin ndërtimin e një ambienti institucional që respekton detyrimet kushtetuese dhe ligjore, si dhe mbrojtjen, promovimin, ruajtjen dhe zbatimin e të drejtave gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Edhe një herë inkurajojmë të gjithë qytetarët që të përfshihen në mënyrë aktive në këtë proces dhe të raportojnë të gjitha parregullsitë gjuhësore te institucionet përkatëse, si Zyra e Komisionerit për Gjuhët (zkgj.kpj@gmail.com) dhe Zyra e Avokatit të Popullit (info.oik@oik-rks.org). Gjithashtu, i ftojmë qytetarët që, nëse hasin në ndonjë anomali gjuhësore, të kontaktojnë edhe OJQ Aktiv (office@ngoaktiv.org), dhe në këtë mënyrë t’i bashkohen apelit tonë drejtuar institucioneve për respektimin e normave të përcaktuara me ligj.

[1] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/ZAKON_BR._02_L-37_O_UPOTREBI_JEZIKA1346.pdf

[2] https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/c790738e-4cf6-4a43-a8a9-43c1b6f01e10_en?filename=Kosovo%20Report%202024.pdf

[3] https://mbpzhr.rks-gov.net/home-page-sr/

[4] https://mbpzhr.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/12/Bujqesia_e_Kosoves_ne_Numra_2023.pdf

[5] https://mbpzhr.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/12/.pdf

[6] https://mbpzhr.rks-gov.net/konkurse/#top

[7] https://mbpzhr.rks-gov.net/konkursi/#top

[8] https://mbpzhr.rks-gov.net/istorija-i-mandat/

[9] https://mbpzhr.rks-gov.net/historiku-dhe-mandati/

[10] https://mbpzhr.rks-gov.net/stalni-sekretar/

[11] https://mbpzhr.rks-gov.net/sekretari-i-pergjithshem/

[12] https://mbpzhr.rks-gov.net/jedinica-za-ljudska-prava/

[13] https://mbpzhr.rks-gov.net/njesia-per-te-drejtat-e-njeriut-dhe-mbrojtje-nga-diskriminimi/

[14] https://mbpzhr.rks-gov.net/organogrami/

[15] https://mbpzhr.rks-gov.net/sistematizacija/

[16] https://mbpzhr.rks-gov.net/zamenici-ministra/

[17] https://mbpzhr.rks-gov.net/zevendesministrat/

[18] https://mbpzhr.rks-gov.net/agencija-sumarstva/

[19] https://mbpzhr.rks-gov.net/departman-za-politiku-ruralnog-razvoja-menadzerskog-autoriteta/

[20] https://mbpzhr.rks-gov.net/departamenti-i-politikave-te-zhvillimit-rural-autoriteti-menaxhues/

[21] https://mbpzhr.rks-gov.net/subvencije/#top

[22] http://mbpzhrwp.techvision-ks.com/wp-content/uploads/2024/04/PROGRAMI_PER_PAGESA_DIREKTE__2024-1.pdf

[23] https://mbpzhr.rks-gov.net/zakoni/

[24] https://mbpzhr.rks-gov.net/pravilnici/

[25] https://mbpzhr.rks-gov.net/strategije/

[26] https://mbpzhr.rks-gov.net/tenderi/

[27] https://mbpzhr.rks-gov.net/kontratat/

[28] https://azhb-aplikimet.rks-gov.net/Identity/Authenticate?ReturnUrl=%2f

[29] https://www.azhb-rks.net/repository/docs/UserManual_Al_pzhr.pdf

[30] https://www.facebook.com/mbpzhr

[31] https://www.facebook.com/mbpzhr/about_details

[32] https://www.facebook.com/share/p/1FbmqMN8Vz/

[33] https://www.facebook.com/share/p/1BmJMzrXup/

[34] https://www.facebook.com/share/p/1FbmqMN8Vz/

[35] https://www.facebook.com/share/p/1AYKpr973J/

[36] https://www.facebook.com/mbpzhr/videos

[37] https://www.facebook.com/mbpzhr/videos/1080181120739568

[38] https://www.facebook.com/mbpzhr/videos/814324054123443

[39] https://www.facebook.com/mbpzhr/videos/891465192853908

[40] https://x.com/mbpzhr

[41] https://x.com/mbpzhr_Kosova

[42] https://x.com/MBPZHRKosovo

[43] https://www.youtube.com/@mbpzhrkosovo975/videos

[44] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/05/ZAKON_BR._02_L-37_O_UPOTREBI_JEZIKA1346.pdf

[45] https://www.ohchr.org/en/human-rights/universal-declaration/translations/serbian-latin-srpski

[46] https://mbpzhr.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/12/Bujqesia_e_Kosoves_ne_Numra_2023.pdf

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd