Serbët në Kosovë pa besim në institucione, dialog dhe politikanë – prezantohen gjetjet e raportit “Analiza e trendeve 2024”

Mosbesimi, pasiguria dhe ndjenja e braktisjes dominojnë qëndrimet e serbëve në Kosovë, tregojnë rezultatet e hulumtimit “Analiza e trendeve 2024”, të cilin OJQ Aktiv e prezantoi më 13 maj në Beograd. Në këtë hulumtim, i cili u zhvillua nga qershori deri në dhjetor të vitit 2024, janë hartuar qëndrimet e komunitetit serb rreth situatës politike, të sigurisë, ekonomike dhe shoqërore në Kosovë, në një nga periudhat më të paqëndrueshme politikisht të viteve të fundit.

Plot 91,2% e të anketuarve mendojnë se situata në Kosovë po shkon në drejtim të gabuar, ndërsa vetëm 10% besojnë se jeta për serbët do të përmirësohet në tri vitet e ardhshme. Më shumë se gjysma (57,9%) e konsiderojnë paqëndrueshmërinë politike si sfidën kyçe, ndërsa 72% nuk kanë besim në asnjë parti apo aktor politik që përfaqëson interesat e serbëve. Madje 86,9% nuk kanë dashur të përmendin asnjë lider në të cilin kanë besim.

Në aspektin e besimit institucional, më së miri janë vlerësuar KFOR-i (2.55), Qeveria e Serbisë (2.49), Zyra për Kosovë dhe Metohi (2.33) dhe OSBE-ja (2.31). Notat më të ulëta i kanë marrë Qeveria e Kosovës, ministrat serbë dhe deputetët në institucionet e Kosovës. Qytetarët konsiderojnë se pritjet e tyre janë tradhtuar në mënyrë sistematike dhe se aktorët politikë, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, nuk kanë treguar përgjegjësi ndaj komunitetit të tyre.

Sa i përket dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mbizotëron skepticizmi. Gati gjysma (48,5%) beson se dialogu nuk do të sjellë asnjë ndryshim, ndërsa 31,4% mendojnë se do ta përkeqësojë situatën. Vetëm 19,9% shohin mundësi për një rezultat pozitiv.

Gjendja e sigurisë gjithashtu shkakton shqetësim: 29,1% e të anketuarve në veri të Kosovës deklaruan se gjatë vitit 2024 kanë ndier kërcënim personal, ndërsa përqindja e përgjithshme për tërë Kosovën është 18,1%. Migrimi mbetet një trend i theksuar: 66% e të anketuarve njohin dikë që ka lëshuar Kosovën në vitin e fundit, ndërsa në veri ky përqind shkon në 70,9%.

Si masë veçanërisht e rëndë është vlerësuar vendimi për ndalimin e qarkullimit të pagesave në dinarë, i cili, sipas rezultateve, ka prekur gati 90% të të anketuarve. Megjithatë, është shënuar një përmirësim i besimit ndaj mediave që raportojnë në gjuhën serbe nga territori i Kosovës.

“I gjithë raporti është pesimist dhe flet për vetë ekzistencën e komunitetit serb në Kosovë, por shumë pak për pjesëmarrjen e tij politike. Tema e migrimit mbetet pa përgjigje, me mungesë reagimi institucional si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi, por edhe nga aktorët ndërkombëtarë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i OJQ Aktiv, Miodrag Milliqeviq.

Njëri nga autorët e hulumtimit, Marko Savkoviq nga fondi ISAC, vlerësoi se pothuajse askush nuk e konsideron situatën e sigurisë si të mirë dhe se pas sulmit në Banjskë janë regjistruar rëniet më të mëdha në perceptimin e sigurisë në pesë vitet e fundit. Ai shtoi se qytetarët gjithnjë e më shumë shprehin ndjenjën e dekurajimit dhe të tërheqjes nga angazhimi politik.

Dragisha Mijaçiq nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER) theksoi se analiza tregon qartë se serbët nuk ndiejnë besim në kornizën institucionale të Kosovës dhe se veçanërisht banorët e veriut të Kosovës kanë qëndrime më konservatore dhe kritike krahasuar me pjesën tjetër të komunitetit serb.

Pjesëmarrësit përfunduan se kjo është analiza më gjithëpërfshirëse mbi qëndrimet e serbëve në Kosovë dhe ofron informacione të domosdoshme për vendimmarrësit dhe publikun. Ata bënë thirrje për veprim të menjëhershëm për të parandaluar përkeqësimin e mëtejmë të situatës.

Raporti i plotë është i qasshëm në faqen zyrtare të OJQ Aktiv.

Srpski: https://shorturl.at/JnJ9L

Shqip: https://shorturl.at/adikb

English: https://shorturl.at/dvJDA

 

 

NGO AKTIV Mitrovica

NGO AKTIV Priština

NGO AKTIV Beograd