OJQ Aktiv prezantoi të mërkurën, më 30 prill, në Prishtinë publikimin “Analiza e Trendeve 2024”, i cili sjell rezultatet e një hulumtimi mbi qëndrimet e serbëve në Kosovë për çështjet kryesore shoqërore-politike, sigurinë, besimin në institucione dhe perspektivat e jetës në komunitet.
Gjetjet e këtij viti konfirmojnë vazhdimësinë e trendeve shqetësuese – përfshirë ndjenjën e theksuar të pasigurisë, mosbesimin e thellë institucional dhe rritjen e pesimizmit. Veçanërisht alarmues është fakti se mbi 50% e të anketuarve do të largoheshin nga Kosova nëse do t’u jepej mundësia. Niveli më i ulët i besimit është ndaj Qeverisë së Kosovës dhe deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, të cilët janë vlerësuar me “njësh”.
Drejtori ekzekutiv i OJQ Aktiv, Miodrag Milliqeviq, theksoi se rezultatet tregojnë një krizë të vazhdueshme dhe të thellë të besimit që zgjat prej vitesh.
“Analiza konfirmon se komuniteti serb në Kosovë vazhdon të përballet me ndjenjë të thellë pasigurie. Veçanërisht shqetësuese është se mbi 50% e të anketuarve do të largoheshin në pesë vitet e ardhshme nëse do të kishin mundësi.”
“Siguria mbetet një nga sfidat kyçe, veçanërisht në komunat veriore. Ndërkohë, 72% e të anketuarve nuk kanë besim në asnjë parti apo politikan. Edhe pse shënohet një rritje e lehtë e besimit në Bashkimin Evropian, besimi në institucionet vendore dhe ndërkombëtare mbetet shumë i ulët.”
Sipas hulumtimit, 66% e të anketuarve njohin dikë që është larguar nga Kosova, ndërsa në veri përqindja është 70.9%. “Arsyet kryesore për largim janë pasiguria politike, mosrespektimi i të drejtave të komunitetit serb dhe siguria personale”, tregon raporti.
Duke folur për qëndrimet ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Milliqeviq deklaroi: “40% e të anketuarve mendojnë se AKSHS është zgjidhja më e pranueshme institucionale për përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë, por pesimizmi për mundësinë reale të zbatimit po rritet.”
Sipas raportit, nota mesatare për raportimin e mediave serbe në Kosovë është 3.28. Sipas Darko Dimitrijeviq, kryeredaktor i Radios Gorazhdevc, kjo rritje e lehtë e besimit është inkurajuese, por problemet mbeten të thella.
“Njerëzit që punojnë në media përballen me shumë sfida. Ne përpiqemi të informojmë publikun në mënyrë faktike dhe objektive, dhe qytetarët po e vlerësojnë gjithnjë e më shumë këtë. Por nuk jam i kënaqur. Kohët e fundit kemi pasur disa incidente në Gorazhdevc dhe është shqetësuese që qytetarët nuk besojnë të lajmërojnë policinë. Fillimisht lajmërojnë median, pastaj autoritetet.”
Jovana Radosavleviq, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës së Re Shoqërore, tha se komuniteti serb nuk i percepton institucionet e Kosovës si të vetat.
“Besimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës po bie. Kemi një kolaps të besimit institucional, në një nivel shqetësues. Në të njëjtën kohë, nuk kemi përfaqësues politikë që gëzojnë besimin e qytetarëve, kjo tregon një boshllëk udhëheqës në përfaqësimin e interesave të komunitetit.”
Përfaqësuesit e OJQ Aktiv theksuan se komuniteti serb përballet me sfida serioze që kërkojnë veprim politik dhe përgjegjësi institucionale.
“Analiza e Trendeve” është një mjet për të kuptuar më mirë pozitën e serbëve në Kosovë dhe një thirrje për veprim të përgjegjshëm nga vendimmarrësit, si në nivel lokal, ashtu edhe ndërkombëtar.
Publikimi është i disponueshëm në gjuhën serbe, shqipe dhe angleze në faqen zyrtare të OJQ Aktiv.