Në Qendrën për Energjinë Qytetare (CEC), më 29 maj 2025, në organizimin e OJQ Aktiv, u mbajt një diskutim me titullin ”Sfidat e sigurisë dhe besimi: Marrëdhënia mes policisë dhe komunitetit në veri të Kosovës“. Në bisedë morën pjesë qytetarë, përfaqësues të institucioneve lokale, mediave, partive politike dhe organizatave ndërkombëtare. Gjatë diskutimit të hapur, u theksuan sfidat kyçe dhe ndryshimet e nevojshme për të përmirësuar besimin dhe sigurinë në veri të Kosovës.
Diskutimi theksoi nevojën urgjente për forcuar besimin reciprok mes policisë dhe qytetarëve, si dhe për krijimin e mekanizmave më efikas për raportimin e problemeve. Përfaqësuesit e komunitetit serb shprehen shqetësimin për problematikën e ngacmimit verbal seksual dhe shprehën brengën për mosrespektimin e ligjit, çka krijon barrierë mes qytetarëve dhe institucioneve.
Nga sektori civil, disa organizata theksuan se për shkak të mungesës së besimit në polici, rastet shpesh nuk i nënshtrohen procedimit, duke vështirësuar qytetarët në raportimin e problemeve dhe duke krijuar një ndjenjë pasigurie.
Veton Elshani, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, theksoi se policia ka marrë masa konkrete për përmirësimin e sigurisë për qytetarët, duke përfshirë patrullat e përforcuara në Mitrovicën e Veriut dhe vendosjen e policëve që flasin serbisht në pikat kyçe të qytetit. Gjithashtu, ai njoftoi se është nisur një plan operativ për parandalimin e ngacmimeve seksuale, me rezultate pozitive të regjistruara, përfshirë konfiskimin e narkotikëve dhe ndjekjen penale të autorëve.
“Kemi bërë një plan operativ për Mitrovicën e Veriut dhe tani kemi shtuar polici, edhe gjatë natës, si dhe një patrullë të shtuar. Jemi në rrugën e përmirësimit të gjendjes, që nëse nuk mund ta ndalojmë, të jemi aty kur diçka të ndodhë, sepse tani jemi kudo“, tha Elshani.
Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Demokracisë Serbe, theksoi se ekziston shqetësim tek qytetarët se policia nuk po merret seriozisht me rastet e dhunës dhe ngacmimit, ndërsa, sipas tij, shpesh ka trajtim të padrejtë ndaj atyre që protestojnë ose janë kundër këtij trajtimi.
“Kjo ndjenjë është e pranishme tek qytetarët dhe krijon një mosbesim të madh tek policia e Kosovës. Është pikërisht qëndrimi ndaj popullsisë lokale që minon besimin tek institucionet. Qytetarët raportojnë raste të dhunës në familje dhe grindjeve, por kur bëhet fjalë për raportime të ngacmimit seksual, gratë shpesh nuk merren seriozisht”, tha Arsenijeviq.
Erden Atiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, deklaroi se gjatë mandatit të tij ka punuar për përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët në këtë rajon dhe ra dakord se është e nevojshme të zgjidhen me përgjegjësi ankesat e qytetarëve përmes një sistemi të raporteve.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile theksuan se do të vazhdojnë të bëjnë presion mbi institucionet që të bëjnë punën e tyre. „Ne përfaqësojmë pikëpamjet e qytetarëve që t’i përcjellim ato tek ata që duhet të bëjnë punën e tyre“, thanë përfaqësuesit e OSHQ.
Pjesëmarrësit në diskutim ranë dakord se sfidat e sigurisë dhe mungesa e besimit ndaj policisë janë probleme të mëdha, por gjithashtu u pajtuan se diskutime të tilla të hapura janë të rëndësishme dhe mund të jenë një hap në zgjidhjen e tyre.
U theksua se bashkëpunimi mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve është thelbësor për zgjidhjen e problemeve ekzistuese, sidomos në lidhje me besimin në institucione dhe mekanizmat e mbrojtjes së qytetarëve.