18. janar. 2022. | 08:51


Nga numërimi mbrapsht deri në rinumërim



Në Kosovë është bërë klishe që çdo analizë apo tekst të fillohet me “kanë kaluar dy dekada nga përfundimi i luftës”, që tradicionalisht pasohet me ankesa të argumentuara për gjendjen e keqe në të gjitha fushat dhe dimensionet e jetës në këtë zonë të ndezur postkonfliktuale. Përkundër kësaj, është e pamundur të shmanget kurthi i përsëritjes, e të vajtohet se si dyzet vite në Kosovë nuk është mbajtur asnjë regjistrim i rregullt i popullsisë, i zbatuar në mënyrë adekuate, i pa bojkotuar dhe i suksesshëm. Në të vërtetë, regjistrimi i fundit i kryer si duhet u mbajt në vitin 1981, para vorbullave të luftës dhe bredhjeve tranzicionale, të cilat, me sa duket, do të ripërcaktojnë në masë të madhe karakterin e regjistrimit të ardhshëm në Kosovë.

Raundi i fundit i regjistrimit u mbajt në vitin 2011 dhe u bojkotua ndjeshëm nga pjesëtarët e komunitetit serb. Pa hyrë në kompleksitetin e rrethanave politike që çuan në dështimin e atij regjistrimi, rezultatet jo të plota u përdorën si zyrtare, gjë që si pasojë pati kufizime në gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut nga komuniteti më i madh jo shumicë. Një qasje e tillë u reflektua seriozisht në aspektin ekonomik, ku p.sh. komunat me shumicë serbe u përballën me problemin e reduktimit drastik të buxheteve komunale (të përcaktuara në bazë të numrit të regjistruar të banorëve). Në të njëjtën kohë, përpjekja e pasuksesshme për kryerjen e regjistrimit të popullsisë në territorin e katër komunave veriore në vitin 2016 tregoi se cikli i ardhshëm do të hasë një sërë pengesash që eventualisht do të pengojnë ose kufizojnë zbatimin e tij kuptimplotë.

Me shfaqjen e pandemisë dhe mungesën e mundësive për të kryer ndonjë aktivitet që kërkon kontakt të drejtpërdrejtë njerëzor, njoftimet për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë në vitin 2021 thjesht kanë dështuar. Përveç kësaj, miratimi i Projektligjit për regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare, që supozohej të konfirmohej gjatë vitit 2020 (sipas praktikës tashmë të krijuar që ligje të tilla miratohen një vit para fillimit të regjistrimit), është shtyrë. Përveç faktit se një vakum i tillë ligjor krijon pengesa serioze logjistike, ligjore, politike dhe praktike për zhvillimin e duhur të regjistrimit, projektligji është përplot me paqartësi dhe me përkufizime dhe rregulla procedurale të pasakta, shpesh konfuze dhe kontradiktore. Pra, propozimi nuk ofron një shpjegim të qartë dhe të saktë se kush do të mund të marrë pjesë në regjistrim dhe me cilat dokumente do të verifikohet identiteti i personit të regjistruar. Interpretimet arbitrare që mund të rezultojnë mund të rrezikojnë procesin e regjistrimit dhe të kufizojnë qasjen për mbledhjen e rezultateve të sakta nga terreni. Përveç kësaj, nuk specifikohet nëse personat e zhvendosur (si “jorezidentët”) do të mund të marrin pjesë fare në procesin e regjistrimit dhe me çfarë dokumente.

Pas këtyre dhe shumë mangësive të tjera që mund të konstatohen në projektligjin e lartpërmendur, mund të vërehen edhe problemet që do të shfaqen gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë. Fushata e detyrueshme mediatike që ligjërisht duhet t'i paraprijë fillimit të regjistrimit ende nuk ka filluar, dhe duke gjykuar nga ato të zhvilluara deri më tani në Kosovë në gjuhën serbe, qytetarët mund të presin informacione jo të plota dhe deri diku të kuptueshme. Ajo që është gjithashtu shqetësuese është se Beogradi zyrtar ende nuk është deklaruar me rastin e regjistrimit të ardhshëm, vendimi i të cilit për (mos)pjesëmarrje mund të jetë i një rëndësie vendimtare. Shqetësimi buron nga fakti se Beogradi ka qenë shumë pasiv për problemet me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë. Mjafton të marrim si shembuj shembujt jo të largët flagrantë të inercisë së Beogradit - heqja e targave KS dhe dështimi i mbajtjes së referendumit për Kushtetutën e Serbisë në Kosovë. Beogradi zyrtar, si faktori që ka ndikimin më të madh në jetën e komunitetit serb në Kosovë, duhet të vendosë sa më parë për pjesëmarrjen e serbëve në regjistrim. Ndryshe, do të jemi dëshmitarë të një sërë dënimesh të ashpra retorike të Beogradit për gjendjen e cila në terren sigurisht nuk do të jetë në favor të serbëve të Kosovës, ndërsa efektet e reagimeve verbale si deri më tani do të jenë minore.

Autori i këtij teksti mbështet tezën se serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë. Regjistrimi nuk është thjesht një proces politik siç paraqitet shpesh, por një bazë jashtëzakonisht e rëndësishme ekonomike, sociale dhe demografike për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve. Është e vërtetë se etnocentrizmi në proceset e regjistrimit në vendet e brishta si Bosnja dhe Hercegovina (2013) dhe Maqedonia e Veriut (2021) dominoi të gjitha narrativat. Diskurset mbi domosdoshmërinë e "rritjes së numrit të boshnjakëve në 50% + 1" në BeH dhe "rritjes së numrit të shqiptarëve" në Maqedoninë e Veriut dëmtuan procesin e regjistrimit dhe e çuan në një "rinumërim nëpër bodrume". Një gjuhë e ngjashme mund të vërehet edhe në Mal të Zi. Përkundër kësaj, në Kosovë pak është folur për regjistrimin e popullsisë, gjë e cila në fakt mund të përdoret për një fushatë pozitive dhe proaktive që bën thirrje për pjesëmarrje në regjistrim, fushatë të parënduar nga ndikimi i frazave dhe parullave nacionaliste.

Në mënyrë që regjistrimi të realizohet pa probleme në Kosovë dhe që serbët e Kosovës të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në të, duhet të plotësohen këto parakushte thelbësore:

  • Beogradi duhet t’iu bëjë thirrje serbe të Kosovës që të marrin pjesë në regjistrim dhe në përputhje me aftësitë e tij të ndihmoj logjistikisht procesin e regjistrimit dhe kryej monitorimin e tij aktiv për të shmangur parregullsitë, e të gjitha këto në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë;
  • Të përcaktohet më qartë dhe pa mëdyshje madhësia e popullsisë së përcaktuar si rezidentë dhe t’u mundësohet pjesëmarrja atyre që ende nuk kanë dokumente personale të Kosovës;
  • Të përcaktohet, në konsultim me përfaqësuesit e personave të zhvendosur, korniza dhe kushtet në të cilat personat e zhvendosur, por edhe të kthyerit që nuk qëndrojnë në Kosovë në periudha të caktuara të vitit (veçanërisht gjatë muajve të dimrit), të mund të marrin pjesë në regjistrim;
  • Agjencia e Statistikave, në bashkëpunim me të gjitha subjektet relevante, të zhvilloj një fushatë mediale të detyrueshme ligjërisht për të informuar pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në lidhje me të gjitha detajet e regjistrimit në gjuhën e tyre amtare (fushatë e cila do të jetë gramatikisht plotësisht e saktë dhe e kuptueshëm);
  • Që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe organizatat joqeveritare nga radhët e këtij komuniteti të marrin pjesë aktive dhe të caktohen si anëtarë të Komisionit Qendror dhe Komunal të Regjistrimit, si organe kyçe për monitorimin e rregullsisë së procesit të regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare;
  • I gjithë materiali i regjistrimit (si dhe udhëzuesi) t'i nënshtrohet korrigjimit dhe pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë t'u sigurohen regjistruesit që flasin gjuhën e tyre amtare.

Kjo duhet t'i shërbejë qëllimit që të përcaktohet përfundimisht numri i serbëve dhe qytetarëve të tjerë që jetojnë në Kosovë. Të dhënat e mbledhura plotësisht do të kontribuonin në planifikimin më adekuat të së ardhmes demografike dhe ekonomike të këtij komuniteti, por gjithashtu do të përmirësonin njohuritë në seksionin e tërthortë të procesit të kthimit, dhe rrjedhimisht do ta ripërcaktonin atë, pra do të rregullonin realitetin në terren dhe nevojat e të kthyerve (potencial dhe aktual). Mospjesëmarrja në regjistrim mund të kthehet lehtësisht në një argument të rrymave nacionaliste në Kosovë në favor të zvogëlimit dhe/ose kufizimit të të drejtave në dispozicion të komuniteteve jo shumicë, gjë që tashmë është parë në publik si një ide. Fatkeqësisht, serbët e Kosovës janë ende qytetarë të dorës së dytë, dhe në këtë kuptim, një bojkot i ri vetëm sa do ta përkeqësonte pozitën e tyre tashmë të pa lakmueshme. Nga ana tjetër, është në interes të Prishtinës zyrtare që serbët të marrin pjesë në regjistrim, së paku për shkak të rëndësisë simbolike të flamurit multietnik që zyrtarët e saj “bartin” jashtë vendit. Së fundi, BE-ja dhe akterët e tjerë ndërkombëtarë duhet të mbështesin procesin dhe ta lejojnë atë të vazhdojë në mënyrë paqësore dhe pa parregullsi. Ndërmjetësimi efektiv ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në përcaktimin e kornizës dhe kryerjen e suksesshme të regjistrimit mund tek BE-ja të paraqitet pragmatikisht si sukses, i cili, e pranojmë, ishte i pamjaftueshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

E vetmja gjë që u ka mbetur serbëve të Kosovës është të numërojnë mbrapsht deri në ditën e numërimit. Deri atëherë, si deri tani, ata do të mbeten thjesht vëzhgues dhe viktima të lojërave politike të subjekteve të nyjës gordiane të Kosovës – Brukselit, Uashingtonit, Beogradit dhe Prishtinës.

 

Teksti është shkruar në kuadër të projektit OPEN të implementuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe kontribut nga OJQ Aktiv. Pikëpamjet e shprehura në këtë botim janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e KFOS.