4. qershor. 2019. | 1:03 | Other Documents


“Koncepti i personit të mirë”: Përgjigjet e serbëve lokalë ndaj dilemës së shtetësisë në jetën e përditshme



“Koncepti i personit të mirë”: Përgjigjet e serbëve lokalë ndaj dilemës së shtetësisë në jetën e përditshme*

 

Nga Francesco Trupia dhe Stephanie Schwandner-Sievers

 

Të njohur si popullata më e madhe pakicë etnike e Kosovës, qytetarët serbë të Kosovës jetojnë jo vetëm në pjesët veriore. Ata gjithashtu jetojnë edhe në disa qytete e fshatra të ndryshëm në Kosovë. Ndonëse në veçanti struktura, situata dhe identiteti etnikisht më homogjen i serbëve të Kosovës, me shumicë në pjesën veriore të Mitrovicës urbane, kanë nxitur diskutime kontestuese, por të hedhura poshtë kohët e fundit, ‘për shkëmbim të tokës’ në nivele gjeopolitike. Këtu jemi posaçërisht të shqetësuar me negociatat për identitetin e atyre vendasve të përkatësisë etnike serbe që jetojnë në jug të lumit Ibër. Situata e këtyre vendasve dhe përshtatjet e tyre rrallë dëgjohen midis retorikës më të gjerë nacionaliste dhe politike dhe një prioritizimi ndërkombëtar të sigurim të përqendruar në Kosovën veriore, edhe pse përpjekjet e tyre për përditshme mund të zbulojnë potenciale të papritura qytetare.

 

Siç pjesë e projektit hulumtues “Ndërtimi i njohurive për Kosovën v.2.0”, i mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, ne krijuam një projekt të vogël hulumtues, i cili synonte ta dobësonte çdo supozim etnik të kategorive kundërthënëse të identitetit. U përqendruam në përvojat dhe qëndrimet e përditshme, përvojave dhe qëndrimeve të përjetuara të qytetarëve lokalë që jetojnë në një nga fshatrat homogjene serbe të Kosovës perëndimore-qendrore. Në verën e vitit 2018, Trupia zhvilloi intervista në “The Village” (Fshati) [1], në përpjekje për të shkuar përtej diskursit hegjemonik, të pas luftës lidhur me marrëdhëniet shumicë-pakicë etnike. Ky projekt synonte të hulumtonte çfarë, nga perspektiva e serbëve, përbën “konceptin e personit të mirë” në fushën e jetës së përditshme në Kosovë, duke u përqendruar kështu në vlerat lokale dhe potencialet e tyre për tejkalimin e ndarjeve shoqërore. Sugjerojmë që qasja e tillë e identifikimit të ideve lokale lidhur me “konceptin e personit të mirë” dhe praktikat përkatëse mund të ofrojë një metodë inovative për zbulimin e kapaciteteve lokale e qytetare të cilat përndryshe mund të mbeten të fshehura nën parapetin e dinamikës më të gjerë të pushtetit dhe qëndrimit të gjithanshëm politik në shfaqje publike.

 

Gjatë hulumtimit se si serbët lokalë e perceptojnë identitetin dhe shtetësinë e tyre, si dhe marrëdhëniet dhe mospërputhjet midis tyre, së pari, mbizotërimi i një dileme specifike të shtetësisë doli si çështja më e rëndësishme ndër të intervistuarit. Të anketuarit nga fshatrat theksuan dy regjime kundërthënëse të shtetësisë së jashtme, që u ishin imponuar: nga njëra anë, ajo e shtetësisë së Kosovës, e cila u perceptua, faktikisht, si hegjemoniste shqiptare; dhe, nga ana tjetër, modeli i shtetësisë i përhapur nga institucionet lokale të sponsorizuara nga Beogradi përmes ofrimit të kujdesit shëndetësor, fondeve pensioneve dhe arsimit. Varësisht nga situata specifike e Fshatit, e shënuar nga një kontekst më i gjerë komunal që kërkon bashkëpunim ndëretnik, shumica e të anketuarve evokuan strategji dhe ide për bashkëpunim dhe përfshirje si përgjigje ndaj sfidave të përditshme, në vend se në përgjithësi ta kundërshtonin kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës. Për shembull, më nuk është e pazakonshme të ndërrohen dokumentet e skaduara, personale serbe (si pasaporta, letërnjoftimi ose patentë shoferi) me ato të lëshuara nga institucionet e Kosovës. Në përgjithësi, Trupia dokumentoi qëndrime konstruktive lokale, të cilat jo vetëm që zbulonin forma të shumëfishta të agjencive individuale të drejtuara kundër ndonjërit prej diskurseve mbizotëruese politike dhe supozimeve të tyre stereotipike etnike, por gjithashtu u mundësuan vendësve ta kundërshtonin retorikën nacionaliste në cilëndo anë.

 

Së dyti, në Fshat, tropet e përditshme diskursive për ndërtimin e identiteteve kombëtare, përfshirë pretendimet territoriale, duken shumë më pak të manifestuara se në vendbanimet serbe, kryesisht në Kosovën veriore, që ende parashikojnë një të ardhme me Beogradin. Ndonëse Trupia kuptoi që performancat e përditshme të trashëgimisë dhe traditës socio-kulturore serbe vazhduan, këto nuk mund të konsiderohen të gjitha nacionaliste, në vetvete. Të anketuarit e Fshatit shprehën rezistencë ndaj çdo përvetësimi të nacionalizuar dhe të politizuar të identitetit të tyre kulturor që më parë përjetësonte ndarjen ndëretnike. Për shembull, një i anketuar foli për refuzimin e tij për të marrë pjesë në kremtimet vjetore të Vidovdanit në Fshat, pasi këto ishin keqpërdorur më parë nga serbët jashtë Fshatit për shfaqje të flamujve që ngjallin pretendime territoriale. Në të njëjtën mënyrë, Trupia hasi në të anketuar që në intervistë kritikuan me gjallëri anëtarët e komunitetit të tyre më të gjerë për angazhim në praktika për të cilat kishin frikë se do të nxitnin urrejtje ndëretnike në nivel lokal ose, në përgjithësi, ta përjetësonin përjashtimin dhe ndarjen për serbët lokalë. Për shembull, një banor i ri i fshatit shprehu pakënaqësi me mbishkrimet me grafit kushtuar Vojisllav Sheshelit, një politikan nacionalist ekstrem i krahut të djathtë, nga Beogradi, të shkruara në disa mure të fshatit. Një banor tjetër vendës rikujtoi si i ndaloi disa serbë të rinj nga vende të tjera, kur përpiqeshin t’ia vinin zjarrin flamurit të Kosovës gjersa bënin “selfie” dhe i incizonin veprimet e veta - me sa duket, për t’i postuar në mediat sociale. Në përgjithësi, dukej që serbët lokalë të Fshatit e njihnin shumë mirë gjendjen e tyre dhe hapësirën e gjerë gjeopolitike në të cilën jetonin. Ndonëse barriera gjuhësore duket se është rritur për brezin e ri, të anketuarit shprehën se si e parashihnin jetën në Fshat, në nivel lokal, dhe në Kosovë, në përgjithësi, bazuar në respektin e ndërsjellë për “tjetrin”. Ata ishin të hapur të kontaktonin me, dhe t’i mirëpritnin, shqiptarët që vizituan Fshatin. Të udhëhequr nga aspiratat pragmatike për ndërtimin e të ardhmes së vet në Kosovë, ata i kundërshtuan përpjekjet për radikalizim të paraqitura si të importuara nga jashtë.

 

Megjithatë, nuk ishte çdo gjë e harmonizuar. Trupia gjithashtu hasi në serbë lokalë që dukeshin se i forconin pretendimet kulturore të bazuara në identitetin etnik gjersa angazhoheshin në veprime politike, sipas rrethanave. Hulumtimet e ardhshme pas këtij studimi të rastit mund të dëshirojnë të modifikohen më saktësisht me rastin e krahasimit të komunitetit serb të Kosovës në kontekste të ndryshme lokale në Kosovë, si anëtarët e komunitetit i trajtojnë dhe perceptojnë marrëdhëniet shumetnike dhe idetë për korrigjim të kufijve, varësisht nga afërsia e tyre gjeografike, dhe ndërlidhja me kornizën institucionale serbe dhe Serbinë qendrore. Megjithatë, edhe në kuadër të këtij studimi specifik, u bë e qartë se qëndrimet e të anketuarve përkojnë me gjendjen e tyre socio-ekonomike, varësinë specifike politike dhe gjeografinë e banimit. Të financuarit nga Beogradi, të ilustruara me shembuj nga serbët që punonin në sistemin paralel arsimor; ose ata që nuk jetonin çdo ditë në Fshat, shfaqën ide shumë më të forta etno-nacionaliste sesa ata që përpiqeshin ta siguronin jetesën e përditshme nga bujqësia dhe tregtia lokale dhe kështu vareshin nga bashkëpunimi përtej ndarjeve shoqërore. Kishte gjithashtu përgjigje dhe qëndrime të paqarta, ndonjëherë duke kaluar në kontekstin dhe situatën e përditshme në ndërrim e sipër.

 

Në përgjithësi, u kuptua që pretendimet etno-nacionaliste serbe, që ende dominojnë në pasojat e luftës së Kosovës të vitit 1999, mbajnë shumë më pak forcë tërheqëse mes serbëve lokalë të intervistuar se që shpesh supozohej. Duket që rrallë ndonjë prej tyre përfaqësonte, të cilit qeveria e Beogradit e udhëhequr nga Vuçiqi vetëm kohët e fundit synoi t’i drejtohej: një minoritet i supozuar monolit, zëri i të cilit përkon me atë të tregimit hegjemonik. Do të dukej në rrezik të çdo “procesi për normalizim” të lehtësuar nga jashtë mes Serbisë dhe Kosovës, nëse potencialet qytetare të këtyre proceseve të vazhdueshme, të përditshme, ndonëse nuk bien në sy, dhe përvojat e bashkëjetesës në nivelet bazë të përshkruara, që ndodhin jashtë retorikës përkatëse etno-nacionaliste dhe frikës dhe pretendimeve të saj të deklaruara, thjesht injorohen.

 

[1] Të gjithë emrat e njerëzve dhe të vendeve janë anonimizuar në pajtim me kodin etik në fuqi për hulumtim të Universitetit të Sofjes dhe një vlerësim të rrezikut të përgjithshëm.

 

* Ky editorial është pjesë e një studimi më të gjerë të mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) në kuadër të projektit “Ndërtimi i njohurive për Kosovën (v.2.0)”. Gjetjet do të publikohen së shpejti. Jemi mirënjohës për komentet konstruktive që i kemi marrë nga Albert Heta nga Stacioni, Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë. E tërë përgjegjësia për përmbajtje dhe gabime mbetet vetëm e autorëve.