13. shtator. 2019. | 2:30 | Other Documents


PARADOKS GJUHËSOR DHE ZËVENDËSIMET E MËDHA TË TEZAVE



 

PARADOKS GJUHËSOR DHE ZËVENDËSIMET E MËDHA TË TEZAVE

(Gjendja e të drejtave gjuhësore në Kosovë)

 

Të nisemi nga esenca, sikur në shoqërinë tonë të kishte një sundim të mirëfilltë të ligjit, i gjithë ky rrëfim rreth përdorimit të gjuhës nuk do t’na duhej fare. Nëse do të kishte sundim të ligjit, do të respektohej germa e ligjit dhe këtë, gjithsesi, qytetarët do ta shihnin dhe ndjenin të parët. Çka do të thotë kjo në rrëfimin për gjuhët në Kosovë? Kjo do të ishte një situatë në të cilën qytetarët e përdorin gjuhën e tyre amtare, të përcaktuar me ligj si gjuhë zyrtare ose gjuhë në përdorim, pa analizuar se kush është në ndërrim? Sa është i disponuar zyrtari i sportelit (ndryshe i njohur për filantropinë e tij), pa menduar shumë nëse e kam thënë drejtë “mirë dita, si jeni” në gjuhën amtare të zyrtarit apo pa ndonjë çokollatë (qumështi) ose, Zoti na ruajt, pa ndonjë zarf.

Meqenëse situata është e tillë që Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është “një shkronjë e vdekur në letër” (për fat të keq nuk është e vetmja “shkronjë e vdekur”), atëherë na duhet të flasim për atë, si dhe pse? Para së gjithash duhet që, haptas, pa një korrektësi të rrejshme politike (që në Kosovë mund të pritet në ajër) për t’i thyer disa lajthitje (të mos them mite), gjysmë të vërteta (për të mos thënë gënjeshtra, që edhe unë të jem politikisht korrekt i rrejshëm, megjithatë jetoj në Kosovë, nuk mund të jem jashtë botës), para së gjithash t’i thyejmë dhe vejmë në pah disa zëvendësime të rrezikshme të tezave.

Zëvendësimi i parë i madh i tezave, i gjysmë të vërtetave dhe i hutimeve, për mendimin tim modest, është teza që '' ligji është i mirë, por nuk zbatohet ''. Thënë thjeshtë (në cilëndo gjuhë zyrtare ose gjuhë në përdorim) kjo nuk është e vërtetë. Gjykimi nëse një ligj është i mirë apo jo, sipas konceptit të sundimit të ligjit, varet rrënjësisht nga fakti nëse ai ligj mund të zbatohet në terren apo jo dhe nëse ai zbatohet apo nuk zbatohet A mund ta zbatojë Kosova këtë ligj? Ndoshta ... sikur gjatë 10 viteve të fundit të ishte investuar në stafin e ri dygjuhësh, që është dashur t’u siguroheshin bursa dhe të dërgoheshin në universitete dhe më pas të punësoheshin në institucione, për ta "ringjallur" këtë ligj në terren. A është duke u zbatuar? Përgjigjen në këtë pyetje do të duhej ta jepnin qytetarët, mendimi i autorit të këtij teksti është se NUK zbatohet.

Zëvendësimi i dytë i madh i tezave, për të cilin konsideroj se niset nga qëllime të mira dhe se nuk ka ndonjë tendencë të madhe negative, është mësimi i gjuhëve, por kjo nuk e zvogëlon faktin se është një zëvendësim i tezave. Unë mbështes fuqimisht idenë që fëmijët në shkolla të mësojnë gjuhët e popujve të tjerë dhe këtu nuk ka asgjë kontestuese. Është një gabim i madh që u mor vendim i motivuar politikisht për përjashtimin e gjuhës shqipe nga mësimdhënia zyrtare në mjediset serbe në Kosovë në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Por kjo nuk e ndryshon faktin që mësimi i gjuhës nuk ka asnjë lidhje me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Natyrisht se do të ishte një tregim shterpë që të përsërisim këtu se çfarë do të thotë gjuhë zyrtare, çfarë do të thotë gjuhë në përdorim dhe a ka fare kuptim që për të satën herë të potencojmë që këto janë kategori kushtetuese dhe ligjore, të cilat kërkojnë pasoja të caktuara juridike dhe praktike. Një gjë është e sigurt, kur këtë përpiqeni ta thoni ose t'ia shpjegoni dikujt publikisht (dhe e dini se këtë mund ta dijë ndoshta më mirë se ju), menjëherë do të kapeni për argumentin e mësimit të gjuhës. Mësimi i gjuhës së fqinjit tuaj është një kategori kulturore, shpirtërore dhe civilizuese, shpresoj që të gjithë jemi për atë që të bëhet edhe kategori e sistemit arsimor, ndërsa respektimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe respektimi i të drejtave gjuhësore të qytetarëve, është kategori ligjore dhe politike. Duhet thënë që në konceptin e shtetit të së drejtës, ekziston edhe diçka që quhet vullnet politik për zbatimin e ligjeve të dhëna, është evidente, ndërkaq, që nuk e kemi as njërin, as tjetrin.

Zëvendësimi i tretë i madh i tezes, ndonëse është më mirë të thuhet gabim sistematik, aktualisht, nuk mund të pohoj me siguri (thënë në zhargonin e basketbollit) se është i qëllimshëm, është se i gjithë tregimi për gjuhët, të drejtat gjuhësore dhe zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, përmes diskursit publik, zhvendoset nga domeni i institucioneve në domenin e shoqërisë, të qytetarëve, të individëve, të sektorit civil. Është ky një problem sistematik, i natyrës institucionale. Kontributi i shoqërisë civile dhe i qytetarëve për zgjidhjen e kësaj çështjeje mund të jetë shumë i madh, por kontributi është një gjë, kurse inicimi i zgjidhjes së këtij problemi nga institucionet, ekzistimi i vullnetit politik dhe vendosmëria e individëve, e bartëseve të pushtetit politik, është një dimension krejtësisht tjetër i këtij rrëfimi. Një dimension që nuk ka ekzistuar në Kosovë për 20 vitet e fundit dhe i cili nuk do të ekzistojë përderisa faktorët kyç ndërkombëtarë, politikë dhe shoqërorë do të fshihen pas këtyre frazave politikisht korrekte intelektuale për Kosovën shumë-etnike e shumë-gjuhësore. Dhe provë që nuk ka qasje institucionale është fakti se, nga autoritetet kompetente, nuk ka sanksione konkrete për praktikën tashmë të ngulitur të shkeljes së ligjit, përkatësisht të mosrespektimit të të drejtave gjuhësore.

Pasi që përfunduam me këto teza të zëvendësuara, me huti dhe lajthitje (të cilat gjithnjë e më shumë janë duke marrë hov edhe përbrenda komunitetit lokal, i cili po vuan më së shumti), është koha që ta zbulojmë edhe paradoksin e madh. Fakti që situata ku këto zëvendësime të tezave ''pranohen'' dhe gjejnë truall të pëlleshëm brenda komunitetit lokal serb është një paradoks i llojit të vet. Sidoqoftë, bëhet fjalë për një fenomen shumë të ndërlikuar politik dhe shoqëror, që nuk mund të përcaktohet në mënyrë të thjeshtë, kështu që do të lëmë hapësirë për një mundësi tjetër.

Paradoksi të cilin dua ta veçoj, është mbase e vetmja gjë pozitive dhe një pikë e ndritshme në tërë historinë për gjuhën, të drejtat gjuhësore, ligjet, dhe kjo është situata që, brenda shoqërisë së gjerë në Kosovë, ka shembuj të respektimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por tek qytetarët, tek individët që nuk kanë kurrfarë detyrimi për t'a respektuar këtë ligj, ndryshe nga institucionet që kanë obligim ta bëjnë këtë, por padyshim që në fund, e vetmja gjë që është e rëndësishme – është të jesh njeri.

 

 

Stefan Filipović (Stefan Filipoviq)

 

Graçanicë, më 09.09.2019

 

Në kuadër të fushatës së informimit të publikut për të drejtat gjuhësore, OJQ Aktiv publikon mendimin e shkenctarit politik dhe aktivitet e tij në periudha të gjata kohore sa i përket të drejtave të njeriut dhe të pakicave, Stefan Filipovic, duke ju referuar të drejtave gjuhësore në Kosovë, dhe duke zavendësuar tezat dhe paradokset në lidhje me të drejtën e përdorimit të gjuhës. Kjo fushatë është pjesë e Krijimit të një Kosove dygjuhësore, projekt ky i implementuar nga OJQ Aktiv, dhe i mbështetur nga Mbretëria e Ambasadës Norvegjeze në Kosovë. Mendimi i shprehur në tekst, në asnjë menyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Norvegjeze në Kosovë ose të OJQ Aktiv.