25. mars. 2019. | 9:49


Roli i gjuhës në ruajtjen e identitetit në dritën e të drejtës së përdorimit të gjuhëve në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë



Me krijimin e sistemit të ri të pushtetit pas konfliktit, Kosova ka miratuar mekanizma institucional të integrimit për popullatën pakicë. Në Planin e Ahtisarit u theksua parimi qytetar pa e veçuar dominimin e një grupi etnik. Në mënyrë simbolike, rendi i ri shoqëror u paraqitet si një bashkësi e komuniteteve të ndryshme etnike që mbajnë veçoritë e tyre. Në qendër të përpjekjeve për të ruajtur identitetin e një grupi të caktuar etnik është mbrojtja institucionale e gjuhës që flasin pjesëtarët e tij. Prandaj kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjin e veçantë për të drejtën e përdorimit të gjuhës (2006). Kosova është përkufizuar si një sistem politik në të cilin gjuha shqipe dhe serbe janë të barabarta si gjuhë zyrtare (neni 1). Gjithashtu, në nivelin e komunave, komuniteteve pakicë të cilat në popullatën e përgjithshme janë të përfaqësuara me më së paku 5% u është garantuar që gjuha e tyre të gëzojë statusin e gjuhës zyrtare, me përjashtimin për gjuhën turke në Prizren, e cila ka statusin e gjuhës zyrtare, pavarësisht numrit të popullsisë turke (neni 2). Për gjuhën e komuniteteve të përfaqësuara nga më shumë se 3% e popullatës së komunës, është garantuar përdorimi zyrtar dhe barazia me gjuhët zyrtare (neni 2).

Ndjeshmëria e treguar për gjuhët e pakicave kishte disa arsye. Së pari, është produkt i qëllimeve të akterëve ndërkombëtarë për të adoptuar në mënyrë normative sistemin më përfshirës për pakicat. Statusi i kontestuar në kohën e hartimit të kushtetues më shumë i detyroi autoritetet e Kosovës që, në pajtim me Planin e Ahtisarit, të neutralizojnë dominimin shqiptar në hapësirën shoqërore dhe të theksojnë karakterin multietnik të shtetit. Gjithashtu, me mekanizmat e veprimeve afirmative për të gjitha grupet etnike donin të bënin një prerje të qartë nga historia e kohëve të fundit të diskriminimit kundër komunitetit shqiptar. Së fundmi, për serbët e mbetur në Kosovë, si dhe për numrin e madh të personave të zhvendosur me kombësi joshqiptare, ky ishte një mesazh që sistemi i sapokrijuar i pushtetit është i gatshëm të mbrojë të drejtat e tyre.  

Komisioni për gjuhë u themelua në vitin 2007, por monitorimi i vërtetë i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve fillon me miratimin e Rregullores së Qeverisë për Komisionerin për gjuhë në vitin 2012. Mandati i Zyrës së komisionerit për gjuhë (ZKGJ) është të monitorojë respektimin e Ligjit, të ndërmjetësojë zgjidhjen e ankesave nga personat fizik dhe juridik, të jap rekomandime, të këshillojë ose të ofrojë ndihmë me qellim të arritjes së një zbatimi konsistent të së drejtës për përdorimin e gjuhës. Komisioneri ka të drejtë edhe të kryejë hetime për mangësitë e raportuara dhe, nëse nuk ndodh zgjidhje me marrëveshje, të shqiptoj gjoba për moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve (ZKGJ, Mandati). Në ushtrimin e mandatit, Zyra e komisionerit për gjuhë mbështetet nga Komisioni për politika gjuhësore, i përbërë nga 20 anëtarë të Institucioneve, dhe Rrjeti për politika gjuhësore, i përbërë nga persona të kontaktit dhe përkthyes. Sipas raportit më të fundit në dispozicion nga ZKGJ-ja, aktivitetet e ZKGJ-së u përqendruan në unifikimin e patentë shoferëve, zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkak të disponueshmërisë së informatave vetëm në gjuhën shqipe, vendosjen e një mekanizmi për monitorimin e punës së komunave (ZKGJ, Raporti 2017). Raporti citon neglizhencën e institucioneve në zbatimin e ligjit dhe përsëritjen e shkeljeve të ngjashme, edhe pse këto gabime ishin eliminuar në të kaluarën (2017:22). Zyra e Komisionerit gjithashtu ka punuar në monitorimin e vazhdueshëm të procesit të miratimit të drafteve të akteve normative, gjë që ka një rëndësi të veçantë pasi sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, versionet në shqip dhe serbisht të çdo ligji të miratuar janë njësoj të vlefshme gjatë interpretimit (nenet 2 dhe 5). Përkthimet e dobëta të ligjeve mund të prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe të drejtat e tyre para institucioneve, pasi çdo korrigjim i përkthimit duhet të kalojë procedurën e ndryshimit-plotësimit të ligjit ekzistues. Në analizën e kryer nga OSBE-ja të 9 ligjeve u gjetën 49 gabime materiale që mund të çojnë në interpretim të ndryshëm ose krejtësisht tjetër të të njëjtit ligj në dy versione gjuhësore, gjë që veçanërisht komplikon procedurat para gjykatave (OSBE, Dygjuhësia në Legjislacion, 2018:12).

Në një anketë të kryer nga Demaj dhe Vandenbroucke në territorin e Prishtinës, është vërtetuar se në kryeqytetin e Kosovës shumëgjuhësia ekziston ekskluzivisht në mbishkrimet e institucioneve zyrtare. Edhe pse ka mbishkrime vetëm në gjuhën shqipe ose në atë angleze, nuk është gjetur asnjë mbishkrim i vendosur vetëm në gjuhën serbe. Gjithashtu, përkundër faktit se me barazinë e gjuhës shqipe dhe serbe, të njëjtin përdorim kishin fituar edhe alfabetet e këtyre gjuhëve, dhe se alfabeti cirilik u përcaktua si alfabet zyrtar i gjuhës serbe, mbishkrimi i vetëm cirilik ishte në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese (Demaj & Vandenbroucke, 2015:814).

Në raportin e OSBE-së për përdorimin e gjuhëve në nivelin komunal është gjetur se në shumicën e vetëqeverisjeve lokale mbishkrimet nuk ishin vendosur në shumë gjuhë. Pjesëtarët e komuniteteve pakicë kanë vështirësi në ushtrimin e të drejtave të tyre nëpërmjet komunikimit të vështirësuar me administratën publike kur përdorin gjuhën e tyre amtare. Zyrtarë që njohin gjuhën e komuniteteve pakicë janë të paktë, ndërsa kompetenca e tyre gjuhësore vihet në dyshim në përkthimin zyrtar të dokumenteve që nga procesverbalet deri te aktet ligjore komunale. (OSBE, 2014:24)

Megjithëse korniza ligjore mundëson përdorimin gjerësisht të garantuar të gjuhëve për të gjitha komunitetet pakicë, "shoqëria mbetet e ndarë përgjatë linjave linguistike, duke krijuar një hendek midis ligjeve shumëgjuhëshe dhe një popullsie monolinguike" (Demaj & Vandenbroucke, 2015:809). Lëvizjet modeste në zbatimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës janë pasojë e tre faktorëve kryesorë. I pari është mungesa e mjeteve, infrastrukturës dhe personave të kualifikuar për të arritur qëllimin e lartë të akomodimit të diversitetit gjuhësor. I dyti ka të bëjë me mungesën e vullnetit politik të përfaqësuesve të pushtetit, veçanërisht në rastin e komunitetit serb, që, për shkak të marrëdhënieve të konfrontuara me Serbinë lidhur me statusin përfundimtar, gjuhës serbe t’i sigurohet statusi i plotë të shërbimit, përfaqësimi i barabartë dhe përdorimi i saktë. Një shembull ilustrues është mbledhja e Komisionit të Kuvendit për legjislacion, e cila u mbajt në vitin 2015, e në të cilin kryesuesja Albulena Haxhiu refuzoi të shqyrtonte propozimin e Listës Serbe sepse logoja e Parlamentit ishte shkruar në cirilik, me komentin se qëllimi i përfaqësuesit serb ishte të shkatërronte shtetin e Kosovës sipas direktivës së Beogradit (ECMI, Monitori i Çështjeve të Komuniteteve të Kosovës, 2015). Në fund, përkundër legjislacionin mbrojtës, fakti që pas konfliktit Mitrovica e Veriut është mjedisi i vetëm urban me një popullsi të konsiderueshme serbe bart pasoja të drejtpërdrejta për përhapjen e gjuhës serbe në hapësirën publike.

E drejta për të përdorur gjuhën në Kosovë nuk është vetëm një çështje identiteti. Kontekstualizimi i saj politik pas konfliktit kishte dy tipare: a) identiteti i tjetrit përfaqëson entitetin rrezikues për procesin e shtetndërtimit; dhe b) identiteti i tjetrit mund të ridefinohet ose asimilohet me kohë. Për shkak të ekzistimit të dy sistemeve të veçanta arsimore, kosovar dhe serb (i cili zhvillohet në pajtim me plan-programin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë), komunitetet pakicë përcaktoheshin për njërin nga këta dy kryesisht për shkak të gjuhës. Goranët, kroatët, boshnjakët (arsimi i lartë) dhe romët (që flasin gjuhën serbe) regjistrojnë nxënësit e tyre në shkolla në serbisht, ndërsa turqit, romët (që flasin shqip), ashkalinjtë, egjiptianët dhe boshnjakët (arsimi fillor dhe i mesëm) në shkollat, programin e të cilave e definon Ministria e Arsimit e Kosovës në gjuhët e tyre amtare (Božić, 2016:284). Është e dukshme se edhe pse autoritetet në Prishtinë kanë hartuar programe në gjuhën kroate, boshnjake dhe serbe, komunitetet e tyre nuk pranuan plotësisht integrimin në sistemin arsimor të Kosovës.

Një pyetje veçanërisht e ndjeshme është ruajtja e identitetit të goranëve, të cilët kryesisht shkojnë në shkollat në gjuhën serbe sepse nuk e mohojnë individualitetin e tyre, edhe pse gjuha e tyre jozyrtare "nashki" lindi nën ndikimin e gjuhës serbe, maqedonase dhe bullgare. Komuniteti boshnjak konsideron se goranët janë pjesë e korpusit të tyre që nuk e kanë arritur vetëdijesimin kombëtar dhe prandaj, përmes programeve në gjuhën boshnjake dhe ndikimit të autoriteteve të vetëqeverisjes lokale, tentohet të bëhet homogjenizimi dhe njëkohësisht edhe integrimi i tyre në korpusin boshnjak. (Božić, 2016:277)

Stefan Surliq

 

Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e OJQ-së AKTIV dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimin e Ambasadës të Mbretërisë së Norvegjisë.