22. janar. 2019. | 9:32


Energjia është ngjitës, nuk është eksploziv



Besimi në dialogun të nisur me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, nën kujdesin e BE-së, është humbur si rezultat i kufizimeve të brendshme politike dhe nevojave të të dy palëve, ashtu edhe inercisë dhe mosangazhimit të kryeqyteteve botërore. Rënia e multilateralizmit e shoqëruar me dobësim të diplomacisë vetëm sa e ka përforcuar amplitudën e keqkuptimit dhe kërcënimin  me një konflikt të ri të ngrirë në Evropë.

Kthimi i dialogut në rrugën e normalizimit mund të jetë po aq sfidues sa edhe vetë inicimi i tij. Nëse ka një temë që mund të "hapë" më tej dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës, pse nuk do të duhej të ishte energjia?

Një sërë argumentesh janë në favor të kësaj. Të veçojmë tre prej tyre. Së pari, energjia është monedhë  universale e nevojshme për të gjithë. Së dyti, interkonektiviteti i energjisë dhe bashkëpunimi janë një parakusht për zhvillimin dhe përparimin e qëndrueshëm. Së treti, siguria e energjisë, që nënkupton sigurimin e furnizimit të produkteve të energjisë me çmime të parashikueshme dhe konkurruese për të gjithë akterët në këtë rajon, bazohet në radhë të parë në bashkëpunimin rajonal. Të mendosh për pavarësinë e energjisë dhe vetë-mjaftueshmërinë është thjeshtë një mit.

Në fund të fundit, BE-ja si projekti më i suksesshëm paqeruajtës në historinë e deritanishme të kontinentit të vjetër u krijua në rrënojat e dy luftërave botërore dhe pikërisht në ndërgjegjësimin për nevojën e grumbullimit të burimeve siç janë qymyri dhe çeliku. Pra, energjia është më shumë si ngjitës sesa eksploziv. Nevoja për energji, në mënyrë të ngjashme, ishte në zemër të "Politikës Lindore" të Brantit që çoi në dialogun gjermano-sovjetik dhe përfundimisht  në përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Nëse pranojmë se interkonektiviteti i energjisë është një stabilizues i fuqishëm dhe një provë e solidaritetit për të gjithë pjesëmarrësit në procesin e dialogut teknik, që nuk janë vetëm Beogradi dhe Prishtina, duhet së pari të pranojmë se ka dy dimensione kohore: të kaluarën dhe të ardhmen.

E kaluara karakterizohet nga infrastruktura e vjetëruar, roli mbizotërues i qymyrit dhe hidroenergjisë, efikasiteti i ulët i energjisë me çmime të ulëta dhe tregje të ndara me hapësirë të kufizuar për bashkëpunim dhe tregti. Fakti që sistemet energjetike të Beogradit dhe Prishtinës u krijuan dhe u zhvilluan si dhe arritën zenitin e tyre në ish-Jugosllavi do të thotë se ato janë projektuar dhe realizuar si plotësuese të njëra tjetrës dhe jo si konkurruese.

Sa i përket të ardhmes, ato duhet të reformohen dhe të vendosen në themelet e marrëveshjes së Brukselit, me transformimin e njëkohshëm të energjisë, eliminimin e lëndëve  djegëse fosile dhe dekarbonizimin, burimet e ripërtërishme të energjisë dhe efikasitetin e energjisë. Fakti që rajoni ynë shpenzon 2 deri në 3 herë më shumë qymyr sesa mesatarja e BE-së dhe 50% më pak gaz, ilustron më së miri domosdoshmërinë e ndryshimeve në qasjen e energjisë. Të dhënat tregojnë se për prodhimin e një njësie të BPV-së (Bruto Produkti Vendor) në Ballkanin Perëndimor ka nevojë disa herë më shumë energji sesa në BE.

Me çështjet e pazgjidhura të pronësisë (shembulli i Trepçës dhe të tjera), të marrëdhënieve monetare dhe atyre të përfitimeve sociale nga tre dekadat e fundit do të jetë një barrë shtesë e atyre të rënë dakord me Marrëveshjen e Energjisë të 2014-ës.

Beogradi dhe Prishtina po lëvizin në dialog përmes të njëjtës kornizë institucionale, nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit deri tek anëtarësimi në Komunitetin e Energjisë. Po ashtu, ekziston edhe procesi i Berlinit me axhendën lidhëse (transporti dhe energjia, mbi të gjitha), si dhe forma të shumta të bashkëpunimit rajonal. Në të njëjtën kohë, nga Brukseli njoftojnë për bashkimin e energjisë në rajon dhe afrimin më të madh me Bashkimin Energjetik të BE-së. Kjo kërkesë, nëse nuk është bërë deri më tani, do të gjendet shpejt në tavolinat e kabineteve në Beograd dhe Prishtinë.

Një tjetër temë e cila do të çojë në nevojën për të arritur një marrëveshje mbi energjinë në dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës është ndryshimi i klimës, i cili tingëllon futurist dhe jorealist në kohën e ndërprerjes së dialogut, madje edhe në kohën e eskalimit të kontradiktave. Me një mbështetje për linjitin në prodhimin e energjisë elektrike që lëshon sasi të mëdha të gazrave të dëmshëm, rajoni ynë do të përballet me nevojën për të reduktuar emetimet e këtyre gazeve. Për shembull, Beogradi ka një furnizim dhe kërkesë relativisht të balancuar të energjisë elektrike, ku 75% prodhohen kryesisht nga qymyri ndërsa pjesa tjera vjen nga uji. Në Prishtinë, qymyri është burimi i pothuajse 97% të energjisë elektrike, e në disa raste me nevojë për import të energjisë elektrike.

Pasojat sociale, shëndetësore dhe ekonomike të shpërfilljes së emetimeve të pakontrolluara të gazrave të dëmshëm mund të jenë më të mëdha se përfitimet e një energjie relativisht të lirë. Disa studime tregojnë se reduktimi i ndotjes nga termocentralet me qymyr në rajonin tonë do të shpëtonte 6,460 jetë në vit dhe kostot e kujdesit shëndetësor do të reduktoheshin për 2,724 milionë euro.

Kjo temë nuk është në axhendën e dialogut, por është në forume rajonale dhe nuk do të mund të shpërfillet. Në rastin e ndryshimeve klimatike nuk ka fitime të njëanshme, të gjithë jemi humbës potencialë.

Për të kuptuar sa më realisht rëndësinë dhe mundësinë e zgjidhjes me sukses të kësaj nyje në mes të Beogradit dhe Prishtinës, është e domosdoshme të vlerësohet dhe zbatohet plotësisht marrëveshja, të respektohet korniza institucionale dhe rregullat e lojës në këtë fushë nga të dyja anët. Shkathtësitë, njohuritë dhe kapaciteti janë zgjidhje të pranueshme reciproke dhe nuk duhet të mbeten në dëshirën për të shtyrë palën tjetër në kënd, të njoh humbjen ose të reagojë pa matur.

Në fund, duhet të theksohet se e ardhmja e demokracisë, përparimit dhe paqes në Evropë po bëhet gjithnjë e më e paqartë. Zgjidhja, në pjesën ku Beogradi dhe Prishtina mund të ndikojnë, nuk qëndron në inercinë, por në vazhdimin e dialogut, një qasjen proaktive dhe  të vazhdueshme, të pandërprerë për emëruesin më të vogël të përbashkët.

Çdo alternativë tjetër e ofruar është destruktive dhe vetëshkatërruese. Kur jemi tek energjia nuk ka shpatë që mund ta presë këtë dhe në të njejtën kohë të ruajë paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit. Megjithatë, sado e komplikuar  të jetë, nyja mund të zgjidhet me shumë përpjekje dhe durim, dhe pastaj të ngulitet në një rrjet të vetëm rajonal dhe evropian. Nëse është e nevojshme të përsëritet, energjia është një monedhë universale që gjithmonë do të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme edhe në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

Milan Simurdić, ish ambasador i Serbisë në Kroaci dhe Norvegji. Artikull i shkruar me propozimin e BFPE-së.

 

Ky publikim është botuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosove-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

http://k-s-pag.org/storage/app/media/milan-simurdic-energija-je-lepak-a-ne-eksploziv.pdf