16. janar. 2019. | 01:36


MSC: Çfarë ndryshoi pas 16 janarit 2018?



Debati me temën "Çfarë ndryshoi pas 16 janarit 2018", në të cilën morën pjesë Ksenija Bozhoviq, Nënkryetare e IQ “Serbia, demokracia, drejtësia", Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë në Kosovë Budimir Niçiq dhe Miodrag Milliqeviq, Drejtor Ekzekutiv i OJQ "Aktiv", u mbajt në Klubin Social të Mitrovicës, në kuadër të projektit të Qendrës për Energji Qytetare të financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Ksenija Bozhoviq theksoi se edhe pas një viti ende mbisundojnë heshtja dhe qetësia dhe se është e rëndësishme të zbulohet e vërteta, si për Oliverin ashtu edhe për të ardhmen e serbëve në Kosovë dhe Metohi. Theksoi se ende ndjehen frika dhe presioni.

Miodrag Milliqeviq thotë se situata është shumë alarmante, se ka një trend të largimit të njerëzve dhe apati kolektive. "Nuk do të guxoja të parashikoja se situata do të përmirësohet ndjeshëm në vitet në vijim", tha ai. Thekson se është e rëndësishme që tema të mos harrohet dhe se është e nevojshme të mbahet vëmendja e publikut të gjerë në sipërfaqe.

"Kjo është një vrasje politike dhe çdo vrasje politike ka qëllimin dhe mesazhin e vet. Ky është një mesazh për politikanët, ndoshta ithtarët e Oliver Ivanoviqit, ndoshta edhe qytetarët, që edhe atyre mund të ju ndodh diçka e tillë", tha Niçiq. Ai theksoi se mediat nuk duhet të lejojnë që kjo temë dhe ky rast të shtyhen në harresë, sepse jeta vazhdon, por pyetja është si vazhdon.

Drejtori i OJQ-së Aktiv, duke komentuar analizën e trendeve - një studim që kryhet nga organizata e tij tashmë tre vjet, paraqiti trendin se në lidhje me dy vitet e kaluara, përgjysmë më pak njerëz ndjehen të lirë të shprehin pikëpamjet e tyre politike dhe se për këtë arsye duhet të kërkohet thelbi i këtij problemi. Sipas të njëjtit hulumtim nga viti 2017, Oliver Ivanoviq ishte bindshëm politikani më i popullarizuar në veri të Kosovës, tha Milliqeviq.

"Është shumë e rëndësishme të theksohet fakti se njerëzit nuk kanë besim në asnjë politikan në veri të Kosovës dhe se kjo përqindje është 88 për qind", shtoi Miodragu.

Duke vënë në dukje se pavarësisht akuzave e ndërsjella të Beogradit dhe Prishtinës, askush nuk ka dhënë dëshmi konkrete për këtë dhe Niçiq shton: "Ajo që kanë bërë për një vit, është thjesht humbje kohe të publikut për këtë vrasje." Ai tha se çdo gjë i duket si tregti politike dhe se përderisa kemi autoritetet aktuale në Prishtinë dhe Beograd, vrasja nuk do të zbulohet. Në këtë kontekst, beson se do të duhej të krijohej një komision i pavarur ndërkombëtar i ekspertëve që do të merrej me rastin e vrasjes.

Për më tej, Miodrag Milliqeviq thekson se nuk ka vullnet institucional dhe këtë e quan krizë besimi në institucionet e sistemit për të zgjidhur këto raste dhe për të nisur një reformë gjithëpërfshirëse dhe themelore si të sistemit gjyqësor, ashtu edhe atij policor, i cili, qartazi, nuk funksionon.

"Po të funksiononte, nuk do të kishim sot një hetim tabloidësh që zhvillohet mes Beogradit dhe Prishtinës, por një hetim themelor ku do të kishim një prokuror që do të informonte publikun e gjerë se çfarë është puna dhe cilat pasoja janë krijuar", shpjegon ai.

Ksenija Bozhoviq tha se hetimi ishte nisur në drejtimin e gabuar dhe se ishte zhvilluar në mënyrë joprofesionale që nga fillimi dhe shtoi:

"Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit u vra shpresa se kjo mund të ishte një shoqëri normale, demokratike".

Kryetari i SHGS në Kosovë vuri në dukje se Oliveri besonte në sistem sepse ishte një njeri i përgjegjshëm, duke menduar se të gjithë duhet të sillen me përgjegjësi në pozicionet ku janë.

"Të vrasësh një njeri që ishte alternativë ndaj primitivizmit, arrogancës madje mund të shtoj edhe dhunës, është tragjedi për një shoqëri", tha Niçiq.

Po ashtu thotë se nuk ka demokraci derisa institucionet e sundimit të ligjit nuk fillojnë të bëjnë punën e tyre dhe derisa nuk ka media të lira, si dhe që një pjesë e madhe e mediave më me ndikim nuk janë të lira.

"Në Serbi dhe në Kosovë për 20-30 vjet sundojnë njerëzit e njëjtë dhe unë jam skeptik se ne do të përjetojmë njëfarë lirie dhe një lloj demokracie në të ardhmen e afërt", përfundon Niçiq.