24. shtator. 2020. | 01:34


Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin ekonomik - Një marifet politik që shpejt do të harrohet



Dialogu mbi normalizimin ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës, i udhëhequr nga i dërguari i presidentit Tramp, Riçard Grenell, nuk ishte një proces serioz e as nuk prodhoi ndonjë marrëveshje shpërthyese. Siç u theksua gjatë debatit në Klubin Social në Mitrovicë, marrëveshja për normalizimin ekonomik që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, nuk merret seriozisht nga askush. Për më tepër, ajo do të harrohet shpejt edhe në vetë SHBA-të, pavarësisht nëse Xhozef Bajden apo Donalld Tramp fiton zgjedhjet në nëntor.

U mbajt në Klubin Social në Mitrovicë me titull Procesi i Dialogut Beograd-Prishtinë: Një trekëndësh i paqartësive konstruktive më 23 shtator në platformën Zoom. Synim ishte të eksplorohej roli i SHBA-ve në procesin e dialogut dhe implikimet e marrëveshjes së nënshkruar para pak kohësh në Uashington për vazhdimin e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja. Panelistë ishin Daniel P. Server, profesor i praktikës së menaxhimit të konflikteve në Shkollën për studime të avancuara ndërkombëtare Xhon Hopkins dhe Florian Biber, profesor i historisë dhe politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit. Debati u moderua nga Kejlleb Vo dhe Ognjen Gogiq nga OJQ AKTIV.

Sipas profesorit Server, meqenëse një zgjidhje politike nuk është e realizueshme për momentin, përparimi në çështjet ekonomike mund të jetë një strategji e mirë. Sidoqoftë, marrëveshja e nënshkruar në Uashington është vetëm një hap i vogël para pasi përmban pak gjëra që mund ta çojnë situatën tutje. Në vend të kësaj, ajo përfaqëson një marifet politik për fushatën e rizgjedhjes së presidentit Tramp dhe një përpjekje nga ana e ambasadorit Grenell për të dhënë një spektakël ndërkombëtar. Megjithatë, rezultati, sipas mendimit të profesorit Server, ishte aq i parëndësishëm sa nuk e meritoi praninë e presidentit.

Profesori Biber argumentoi se administrata e Trampit nuk ka interes të vërtetë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Meqenëse Ballkani nuk është lartë në agjendën e SHBA-ve, marrëveshja nuk do të ketë peshë për administratën e ardhshme madje edhe nëse rizgjidhet Trampi. Sipas tij, Grenell synoi të konkurrojë me përpjekjet e BE-së për të rifilluar dialogun, i cili ka qenë në gjendje të paqartë për disa vite të fundit. Marrëveshja në thelb përsëriti pikat që veçse ishin dakorduar. Sidoqoftë, administrata e Trampit pretendoi fitoren në garën me BE-në.

Profesori Server u pajtua se Ballkani është ulët në listën e prioriteteve të Uashingtonit. Sidoqoftë, ai vuri në dukje se marrëveshja përafroi Beogradin dhe Prishtinën me dëshirat e politikës së jashtme amerikane, duke krijuar ndoshta probleme me pozicionin e Serbisë dhe Kosovës me BE-në. Ngjashëm, profesori Biber përmendi dispozitat e marrëveshjes që bien ndesh me politikat e BE-së, siç janë zotimi i bërë nga palët për të zhvendosur ambasadat në Jerusalem.

Sipas mendimit të profesorit Biber, marrëveshja e Uashingtonit nuk mund të shihet si një gur themeli drejt një marrëveshje më gjithëpërfshirëse në procesin e lehtësuar nga BE-ja. Siç u tha, ai nuk beson se kjo do të pengojë përpjekjet e drejtuara nga BE-ja.

Biber vazhdoi më tej për të thënë se ai aktualisht nuk sheh një “dritare mundësie” për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe se BE-ja është në një pozitë të pafavorshme pasi duhet të mbajë procesin por nuk mund ta realizoj në një mënyrë që kënaq të gjitha palët e përfshira. Profesori Server gjithashtu pranon mundësinë e vazhdimit të status quo-së. Sidoqoftë, ai nuk e sheh situatën aktuale si katastrofale. Koha mund të mos jetë e përshtatshme për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, por ekziston një hapësirë për inkrementalizëm. Sipas tij, është e mundur të adresohen disa nga problemet tani dhe të fillojnë përgatitjet në terren për një marrëveshje të ardhshme.

Debati i Klubit Social në Mitrovicë u organizua me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

VIDEO