17. dhjetor. 2020. | 10:59


Zëri i komunitetit serb nuk dëgjohet, Kosova ka nevojë për një dialog të brendshëm



Për disa vite, një nga gjetjet më të qëndrueshme të Analizës së Trendit është mosbesimi i serbëve në liderët politikë në Kosovë. Ngjashëm me vitet e mëparshme, rreth 58.7% e të anketuarve nga komuniteti serb në Kosovë pohojnë se nuk u besojnë njerëzve që i përfaqësojnë ata. Kur u pyetën për të identifikuar opsionet politike ose udhëheqësit nga komuniteti serb të cilëve u besojnë, 87% e të anketuarve nuk veçuan ndonjë emër si një që gëzon besim. Të anketuarit treguan edhe më pak besim tek përfaqësuesit politikë nga komuniteti shqiptar në Kosovë. Vetëm 1.5% e tyre përmendën njërin nga udhëheqësit shqiptarë si një politikan të besuar, një përqindje që kufizohet me gabimin statistikor. Mosbesimi i përhapur i serbëve nga Kosova ndaj përfaqësuesve politikë dhe institucioneve është një nga gjetjet kryesore të hulumtimit “Analiza e Trendit 2020: qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë”, i cili u prezantua më 16 dhjetor në një konferencë të mbajtur përmes platformës Zoom.

Analiza e trendit është një studim i qëndrimeve të komunitetit serb në Kosovë mbi zhvillimet kyçe socio-politike, ekonomike dhe të sigurisë të kryera për të gjashtin vit me radhë nga OJQ AKTIV. Rezultatet e "Analizës së Trendit" të këtij viti u prezantuan nga Milica Orlloviq, shefe e zyrës së OJQ AKTIV në Beograd. Prezantimi u pasua nga një panel diskutimi në të cilin morën pjesë Miodrag Milliçeviq, Drejtor ekzekutiv i OJQ Aktiv, Stefan Surlliq, asistent në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd dhe Millena Zdravkoviq, Anëtare e Kuvendit Komunal të Graçanicës. Diskutimi u moderua nga Ognjen Gogiq, shef i zyrës së OJQ AKTIV në Prishtinë. 

Gjatë prezantimit të tij, Miodrag Milliçeviq nënvizoi se përkundër faktit që AKTIV ka kryer një hulumtim të tillë për vite me radhë dhe regjistron trende negative brenda komunitetit serb, nuk ka përgjigje institucionale për këto probleme. Vendimmarrësit kryesorë kanë mungesë të vullnetit politik për t'u angazhuar në mënyrë aktive në gjetjen e përgjigjeve adekuate për problemet e komunitetit serb, dhe në vend të kësaj i injorojnë ato. Milliçeviq shprehu optimizëm të moderuar për vazhdimin e dialogut pas pezullimit dy-vjeçar, sepse kjo krijoi mundësinë e zgjidhjes së problemit në kornizën e procesit të bisedimeve. Ai shprehu mendimin se vetë procesi i bisedimeve në një moment duhet të zhvendoset nga Brukseli në Beograd dhe Prishtinë, për ta sjellë dialogun më pranë palëve. Milliçeviq e sheh dialogun e drejtpërdrejtë në terren si mënyrën e duhur për të vendosur në agjendë trendet negative që shfaqen në hulumtim dhe për t'i zgjidhur ato. Ai gjithashtu rikujtoi se hulumtimi tregon se qytetarët janë përgjithësisht të pakënaqur me punën e institucioneve si dhe mënyrën se si institucionet i trajtojnë ato.  Siç vuri në pah, vite me radhë Qeveria e Kosovës regjistron nivelin më të ulët të besimit midis serbëve në Kosovë, ndërsa besimi ndaj politikanëve shqiptarë matet me gabime statistikore. Ai tha se politikanët në Kosovë duhet të njohin pakënaqësinë e përgjithshme të anëtarëve të komunitetit serb dhe të gjejnë një mënyrë për të filluar një proces të dialogut të brendshëm që do të kontribuoj në përmirësimin e besimit midis komuniteteve.

Millena Zdravkoviq theksoi se hulumtimi nuk ka mbuluar sa duhet pjesën e popullatës serbe që është më e ekspozuar ndaj diskriminimit. Sipas saj, këta janë serbë nga Anamorava, si dhe komunat tjera jo-shumicë si Vushtrria, Obilliqi, Klina, Istogu, Rahoveci... Ata përfaqësojnë pjesën më të cenuar të popullatës serbe dhe përfshirja e tyre do t'i bënte rezultatet e hulumtimit më realiste por edhe më pesimiste.

Analiza e trendit tregoi se pothuajse gjysma e të anketuarve nga komuniteti serb nuk e shohin veten në Kosovë ose planifikojnë ta lënë atë nëse u jepet mundësia në pesë vitet e ardhshme. Në mesin e të anketuarve të moshës 18 deri 29 vjeç, pothuajse 70% tregojnë dëshirë të largohen nga Kosova. Për Millena Zdravkoviq, përqindja e lartë e të rinjve që dëshirojnë të largohen nga Kosova nuk është befasi, as trendi i zhdukjes spontane të komunitetit serb nga Kosova. Sipas vlerësimit të saj, elita politike nuk ka kuptim të mjaftueshëm për nevojat e komunitetit të tyre, domethënë, vendimmarrësit dhe zyrtarët qeveritarë nuk dëgjojnë zërin e njerëzve të zakonshëm. Nuk ka dialog të brendshëm me persona nga të cilët mund të vijnë zgjidhjet më reale, dhe kjo është arsyeja pse ekziston mosbesimi në institucione.

Zdravkoviq gjithashtu shpjegon mosbesimin e përhapur të serbëve nga Kosova ndaj akterëve të ndryshëm me faktin se shumë premtime mbetën të parealizuara. Një shembull është mos-formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilën 58% e të anketuarve besojnë se nuk do të formohet. Mosbesimi gjithashtu ndikohet nga fakti se nuk ka mjaft serbë që punojnë në institucionet (e Kosovës), pastaj mungesa e informacionit në gjuhën serbe, si dhe pasiviteti dhe mos reagimi në lidhje me moszbatimin dhe shkeljen e ligjeve që mbrojnë të drejtat e komunitetit serb. Të gjitha këto, sipas vlerësimit të saj, paraqesin shkaqet që rezultojnë në migrimin e të rinjve. Siç paralajmëron, të rinjtë, të aftë dhe të përgatitur intelektualist po largohen, nga të cilët vetëm një numër i vogël do të kthehen.

Stefan Surlliq veçoi si një zbulim shkatërrues të hulumtimit faktin që sfidat e sigurisë vazhdojnë të jenë temë për më shumë se 20 vjet pas luftës në Kosovë, dhe se ekziston një komunitet i pakicave që e sheh sigurinë si një problem. Ky rezultat, sipas mendimit të tij, përfaqëson një dështim të autoriteteve në Prishtinë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Shqetësuese për të është përqindjen e lartë të të anketuarve që duan të largohen nga Kosova. Lidhur me gjetjet që 60% e të anketuarve deklarojnë mosrespektimin e të drejtave të pakicave, paqëndrueshmërinë politike dhe sigurinë personale si arsye për largimin, ai vlerëson se asnjë nga këta faktorë nuk duhet të jetë arsyeja 20 vjet pas konfliktit.

Surlliq vëren se ekziston një hendek midis integrimit të lartë institucional dhe integrimit të pamjaftueshëm socio-politik të komunitetit serb dhe beson se udhëheqësit shqiptarë duhet të fillojnë një dialog të brendshëm në Kosovë. Ai gjithashtu rikujton se Asociacionin e komunave serbe si një formë të autonomisë  një numër i madh i serbëve e shohin si sigurinë e tyre dhe perspektivën e mbijetesës në Kosovë . Në lidhje me këtë, ai pyet udhëheqësit në Prishtinë se çfarë kërcënimi për shoqërinë kosovare, e cila është de facto mono etnike sepse shqiptarët përbëjnë 90% të popullsisë, do të paraqitej nga Asociacioni i Komunave Serbe si një formë e autonomisë e cila do i  jepet një popullsie prej 5 deri në 8 komuna të Kosovës.

Hulumtimi "Analiza e Trendit 2020: qëndrimet e komunitetit serb në Kosovë" është implementuar falë mbështetjes financiare të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të Kosovës (KFOS).