21. qershor. 2019. | 03:39


Debati publik mbi Përkthimin gjatë takimeve të Kuvendit të Kosovës



Të premten, më 21 qershor, OJQ Aktiv zhvilloi një debat publik mbi përkthimin gjatë takimeve të Kuvendit të Kosovës. Panelistë ishin: Andjelka Ćup, gazetare, Sami Kurteshi, deputet i Kuvendit të Kosovës, Bruno Neziraj, përkthyes, Arta Pllana nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët dhe Rinor Beka nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).

Folësit mbuluan një sërë temash të ndryshme që lidhen drejtpërsëdrejti me problemet që kanë të bëjnë me interpretimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe qasjen në informata lidhur me punën e Kuvendit të Kosovës. Ćup theksoi vështirësitë me të cilat gazetarët serbë shpesh përballen gjatë mbulimit të Kuvendit, pasi ata shpesh luftojnë për të gjetur informacione në gjuhën serbe dhe ka raste kur nuk janë në gjendje të mbulojnë takimet për shkak të mungesës së përkthimeve. Panelistë të tjerë, si Sami Kurteshi, vunë në dukje mangësitë në sistemin arsimor kur është fjala për mësimin e gjuhëve dhe sipas tij parashihet një krizë e pashmangshme për shkak të një grupi gjithnjë e më vogël të kandidatëve të aftë që flasin rrjedhshëm në gjuhën shqipe dhe atë serbe. Duke folur në emër të Zyrës së Komisionerit për Gjuhët, Pllana në mënyrë të theksuar përmendi rëndësinë e qasjes në informata si një e drejtë themelore që e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe se mungesa e informacionit në dispozicion në të gjitha gjuhët zyrtare përbën një çështje të rëndësishme në ushtrimin e këtyre të drejtave.

Beka theksoi se është çështje e rëndësishme mënyra sesi është interpretuar neni 78 i Ligjit dhe Rregullores së Kuvendit të Kosovës (i cili përcakton që në mbledhjet e komisioneve, përkthimi duhet të sigurohet mbi bazën e nevojshme) dhe se mungesa e përgjithshme e përfaqësuesve Serb të Kuvendit ka bërë që anëtarët e mediave në gjuhën serbe dhe organizatat e shoqërisë civile të gjejnë veten të paaftë për të ndjekur punën e Kuvendit. Nga këndvështrimi i një përkthyesi profesional, Neziraj elaboroi faktin se përkthyesit punojnë nën një presion të madh dhe për kompensim financiar të kufizuar, gjë që mund të ketë efekt negativ në cilësinë e përgjithshme të rezultateve të tyre. Të gjithë panelistët u pajtuan që nevojitet të bëhet një punë e konsiderueshme për të përmirësuar situatën dhe se kjo është diçka që do të kërkojë një përgjigje të shumëfishtë nga shoqëria civile dhe institucionet qeverisëse. Diskutimi u mbajt në kuadër të projektit Krijimi i një Kosove Dygjuhësore, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë dhe zbatohet në partneritet me Zyrën e Komisionerit për Gjuhët.