16. janar. 2019. | 11:51


Kumtesë për publikun



Me rastin e përvjetorit të vrasjes së bashkëqytetarit, mikut, fqinjit tonë dhe njërit nga liderët kryesorë politikë të serbëve të Kosovës, Olliver Ivanoviqit (Oliver Ivanović), grupi i organizatave te shoqërisë civile “Empirika”, OJQ Aktiv, Humani Centar, Qendra për të drejtat e komuniteteve pakicë (CRMC), Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC), Communication for Social Development (CSD), Forum for Development and Multiethnic Collaboration, Mreža za građanski aktivizam (MGA), shprehin shqetësimin dhe pakënaqësinë me faktin se 12 muaj pas likuidimit brutal publiku i gjerë nuk ka informata relevante rreth autorëve dhe motiveve të këtij krimi.

Pasojat e dështimit për të sqaruar rrethanat nën të cilat ndodhi ky krim janë shkatërruese për shoqërinë në të cilën jetojmë, lirinë e qytetarëve dhe mendimet dhe fjalët e tyre. Vrasja e Olliver Ivanoviqit (Oliver Ivanović) është vrasje e lirisë, të ndjenjës së sigurisë dhe dinjitetit të popullit serb në Kosovë, prandaj është krejtësisht e pabazuar të flitet për jetën normale në këto treva përderisa autorët të sillen para drejtësisë.

Gjithashtu, konsiderojmë se spekulimet rreth motiveve dhe urdhërdhënësve të vrasjes janë po aq të dëmshme dhe të rrezikshme për vlerat themelore demokratike të shoqërisë sonë, andaj është e nevojshme të parandalohen me veprime efikase dhe të pavarura hetuese në një proces që është i lirë nga kushtëzimi politik dhe sulmeve të ndërsjella në tabloide. Në rrethana të tilla, një proces i tillë mund ta kryej vetëm një organ i pavarur hetimor i Misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX) dhe organizatat relevante ndërkombëtare, me kërkesë për bashkëpunim të autoriteteve hetuese në Prishtinë dhe Beograd. Pengesat e mandateve dhe formalizmi në këtë rast nuk kanë arsyetim dhe i shkojnë për shtati autorëve të vrasjes.

Prandaj, OJQ Aktiv i bën thirrje misionit të BE-së në Kosovë që të marrë përgjegjësinë që i takon sipas vlerave që paraqet dhe të fillojë përgatitjet për formimin e një hetimi të pavarur brenda EULEX-it, ndërsa ftojmë përfaqësuesit e misioneve diplomatike me ndikim në Kosovë që ta mbështesin këtë kërkesë dhe të kontribuojnë në zbatimin e saj.

 

Mitrovica Veriore, Prishtinë,

16 Janar 2019