22. nëntor. 2021. | 12:09


Regjistrimi i popullsisë i vitit 2022 në Kosovë dhe komuniteti serb



Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011 pa të dhëna nga veriu i Kosovës (Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku), ndërsa në jug të lumit Ibër, vetëm rreth 25,000 serbë pranuan të regjistrohen. Prandaj, regjistrimi i planifikuar për vitin 2022 duhet të tregojë në radhë të parë shkallën e besimit të komunitetit serb në institucionet e Prishtinës, dhe veçanërisht efektet e marrëveshjeve të mëparshme të arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Marrëveshja e Brukselit shënoi fillimin e integrimit të vetëqeverisjeve lokale në veri të Kosovës përmes mbajtjes së zgjedhjeve lokale, dhe regjistrimi i planifikuar për vitin 2022 do të ishte një tjetër lloj testi për shkallën e pajtueshmërisë dhe besimit të serbëve me sistemin kosovar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në regjistrimin e vitit 2011, numri i popullsisë ishte 1,739,825, prej të cilëve 92,93 për qind ishin shqiptarë dhe 1,47 për qind serbë. Një nga faktet mboshtëse është se përkundër bojkotit të dukshëm, politikisht numri i serbëve shpesh është manipuluar, kështu që përqindja prej 1.47% është paraqitur si argumenti kryesor në mbipërfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Regjistrimet e popullsisë në Kosovë kanë një histori të gjatë të manipulimit të numrave. Regjistrimi i fundit i popullsisë, i cili nuk u bojkotua as nga serbët, as nga shqiptarët, është ai i vitit 1981, kur u konstatua se në Kosovë jetojnë 1.58 milionë banorë, prej të cilëve 209.497 serbë. Qysh në vitin 1991, për shkak të bojkotit nga komuniteti shqiptar, Enti Federal i Statistikave iu përmbajt një vlerësimi prej 1.97 milionë banorë, ku 194.190 ishin serbë. Pavarësisht bojkotit të shumicës së komunitetit serb, regjistrimi i vitit 2011 duket të jetë regjistri i parë i popullsisë pas konfliktit që jep një shifër të saktë të numrit të përgjithshëm të shqiptarëve që nga viti 1981. Megjithatë, duke pasur parasysh numrin e madh të emigrantëve vënë shumë në dyshim nëse kjo shifër është e saktë. Po ashtu, numri i serbëve që mbetën në Kosovë dhe i atyre që u shpërngulën për shkak të pasojave të luftës ishte në masë të madhe i manipuluar. Numri aktual i personave të zhvendosur nga Kosova, sipas Komisariatit për Refugjatë dhe Migrim, është 196,140, një numër pak më i lartë se 187,129 të regjistruar në vitin 2000 në bashkëpunim me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR). OSBE-ja, në anën tjetër, bazuar në vlerësimet e saj për periudhën ndërmjet viteve 2010 dhe 2013, përcaktoi se në Kosovë jetonin 146.128 persona, që në atë kohë përbënte 7.8% të popullsisë së përgjithshme, ose dukshëm më shumë se 1.5% të regjistruar gjatë Regjistrimit të vitit 2011. Nga ky numër, më shumë se 70,000 jetonin në veri, ndërsa rreth 75,000 jetonin në pjesën jugore të Kosovës. Gjithashtu, vlerësimet jozyrtare shpesh përdorin një shifër prej rreth 100,000 serbë që jetojnë në veri dhe jug të Kosovës në një shkallë prej 40% deri në 60%. Ky informacion u konsiderua veçanërisht i rëndësishëm në argumentimin kundër idesë së demarkacionit, duke konsideruar se demarkacioni do të nënkuptonte ngecjen e shumicës së serbëve në pjesën shqiptare brenda vijave të caktuara etnikisht.

Në fjalimin e tij në vitin 2019, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, deklaroi se në Kosovë në vitin 2017 kanë jetuar 94.998 serbë, duke theksuar dallimin shumë më të vogël mes pjesës veriore dhe jugore të Kosovës, pra se 47.1% serbë jetojnë në veri dhe 52.8% në jug të Ibrit, ndërsa sipas tij, shqiptarët përdorin ekzagjerim të qëllimshëm të popullsisë së tyre, duke e imponuar atë si një nga argumentet bazë në pashmangshmërinë e njohjes së plotë ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Me të njëjtin rast, Vuçiq deklaroi se numri aktual i shqiptarëve që jetojnë në Kosovë është ndërmjet 1.162.000 dhe 1.325.000. Në seancën e fundit të Kuvendit Kombëtar në vitin 2021, në të cilën u prezantua Raport mbi procesin e bisedimeve me Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, Vuçiq ka përsëritur se sipas të dhënave të institucioneve serbe, në Kosovë jetojnë jo më shumë se 95 mijë serbë.

Edhe pse pretendohet se popullsia e përgjithshme e Kosovës nuk i kalon 1.5 milionë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në fund të vitit 2019 në Kosovë kishte 1.782.115 banorë, ndërsa numri prej 1.49 milionë do të realizohet vetëm në vitin 2061. Prandaj, qëllimi kryesor i regjistrimit të planifikuar është që të parandalohet manipulimi i mëtutjeshëm i numrit të popullsisë, pasi që këto shifra keqpërdoren në mënyrë të përsëritur sa i përket numrit të popullsisë së serbëve dhe shqiptarëve. Kështu, p.sh. vetëm në periudhën 2013-2016, numri i emigrantëve shqiptarë nga Kosova të motivuar ekonomikisht në vendet e BE-së ishte 229.005, ndërsa vlerësohet se numri i përgjithshëm i emigrantëve shqiptarë nga Kosova kalon 700.000. Çështja e metodologjisë së regjistrimit dhe mënyra e regjistrimit të atyre banorëve që nuk jetojnë me vite në Kosovë mbetet e hapur.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme të përcaktohet numri i saktë dhe zyrtar i serbëve që ende jetojnë në Kosovë, pasi numri mund të tregojë situatën reale të migrimit të heshtur të një numri të konsiderueshëm të serbëve në periudhën e pas konfliktit (p.sh. nga vlerësimet e OSBE-së në 2013 se janë mbi 140,000 e deri tek të dhënat nga Beogradi që në vitin 2021 janë më pak se 95,000). Në të njëjtën kohë, numri i saktë i pjesëtarëve të komunitetit serb është i rëndësishëm për planifikimin e mëtejshëm dhe të menduarit strategjik në përmirësimin e pozitës së tyre.

Në kontekstin e perspektivës për komunitetin serb në Kosovë - manipulimet me numra mund të vërehen në veçanti tek shuma e numrit të serbëve që jetojnë në Kosovë, serbëve të kthyer në periudhën e pas konfliktit, pastaj serbëve që kanë statusin e personave të zhvendosur, duke zbritur numrin e të shpërngulurve në Kosovë dhe atyre që janë zhvendosur në territorin e Serbisë qendrore. Dhe në fund personat e zhvendosur me dallim në mes të dy grupeve - atyre që dëshirojnë të kthehen dhe atyre që janë integruar në mjedise të reja. Në të njëjtën kohë, rezultatet e regjistrimit duhet të rezultojnë në një rishikim të regjistrit të numrit të personave të zhvendosur, pasi nuk ka asnjë lidhje logjike midis pretendimit se në vitin 1991 ka pasur 194.190 serbë, përkatësisht 215.346 serbë dhe malazezë, ku pas vitit 1999 janë shpërngulur 196,140, dhe nga 140 deri në 95 mijë kanë mbetur të jetojnë në Kosovë. Kjo do të thotë se pas luftës në Kosovë një numër i konsiderueshëm i serbëve janë kthyer, mirëpo të dhënat e OSBE-së tregojnë se deri në vitin 2019, janë kthyer pak më shumë se 30,000. Ose, numri i të zhvendosurve ishte shumë më i vogël, sipas Qendrës Kërkimore të Iniciativës Evropiane për Stabilitet e cila vlerësoi se vetëm rreth 65,000 serbë, kryesisht popullsisë urbane, u larguan nga Kosova në vitin 1999. Ose se në vitin 1991 kishte shumë më tepër serbë që jetonin në Kosovë, të cilët për disa arsye nuk ishin në listë.

Edhe pse nuk është planifikuar, do duhej që regjistrimi i vitit 2022 të përfshijë banorët e Kosovës që janë të listuar si persona të zhvendosur, kryesisht në Serbi, e veçanërisht ata që vazhdojnë të shprehin dëshirën për t'u kthyer. Kjo detyrë nuk është e mundur pa bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të Beogradit dhe Prishtinës, por do të ishte e vetmja mënyrë për të përcaktuar saktë dhe statistikisht obligimin e autoriteteve në Kosovë për të ofruar kushte për kthim të sigurt dhe të qëndrueshëm të personave të zhvendosur para çdo lloj marrëveshje përfundimtare.

Në fund, nuk duhet të harrojmë faktin se regjistrimi është një detyrë teknike që synon mbledhjen e të dhënave statistikisht të dobishme dhe se qëllimi i tij përfundimtar është të jetë një mjet i përdorshëm në shqyrtimin strategjik të trendeve sociale dhe krijimin e politikave konkrete për të ndryshuar gjendjen faktike, sidomos atë që mund të dëmtojnë interesin e përgjithshëm shoqëror. Në rastin e Kosovës, interesi i përgjithshëm është mbijetesa dhe numri i pjesëtarëve të komunitetit serb, fondet buxhetore të shpërndara në mënyrë të barabartë, planifikimi urban dhe projektet infrastrukturore sipas komunave në bazë të numrit të banorëve dhe nevojave të tyre. Më pas, ofrimi i kushteve për kthimin e sigurt të personave të zhvendosur, si dhe zhvillimi i politikave për integrimin e serbëve që garantojnë të drejtat dhe liritë, kushtet për realizimin e ekzistencës, si dhe ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre kulturor.

 

Teksti është shkruar në kuadër të projektit OPEN të implementuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe kontribut nga OJQ Aktiv. Pikëpamjet e shprehura në këtë botim janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e KFOS.