18. korrik. 2019. | 03:50


MSC: Gjysmë dekade debat



Me rastin e mini jubileut – pesë vjetorit të ekzistencës, Klubi Social i Mitrovicës priti panelistët të cilët përmblodhën rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe dhe qëllimet për periudhën vijuese: Vera Pulën, përfaqësuese e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, Miodrag Milliqeviqin, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së Aktiv dhe Dejan Radivojeviqin, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik.

“Klubet sociale ofrojnë një mundësi unike ku njerëzit mund të flasin lirisht për tema të ndryshme, duke filluar nga temat më të lehta kulturore deri te ato më të vështirat, çështjet politike. Ne mendojmë se ky format i bisedës në një atmosferë joformale është shumë më i frytshëm se bisedat në tryezat e rrumbullakëta në konferenca. Në një atmosferë joformale, diskutimi është shumë më i këndshëm, ndërsa nga ana tjetër, më lehtë shprehen opinionet dhe qëndrimet”, konsideron Koordinatorja e programit Reconnecting Mitrovica, Vera Pula.

Në shënimin e përvjetorit të pestë të ekzistencës së Klubit Social të Mitrovicës, krijuar nga AKTIV-i në vitin 2014, u tha se klubi social deri më tani ka trajtuar tema të ndryshme, nga ato që lidhen me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Gjykatën Speciale dhe të tjera.

“Kishim mbi pesëdhjetë ngjarje të ndryshme, mbi njëqind e tridhjetë individë të shquar dhe të rëndësishëm, respektivisht përfaqësues adekuat nga fushat e tyre përkatëse, të cilët ishin mysafirë të MSC-së. Prandaj mendojmë, respektivisht aspirojmë të vazhdojmë në të njëjtën frymë”, tha Miodrag Milliqeviq, një nga themeluesit e këtij koncepti.

OJQ-ja Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik, me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur kuptoi që Klubi Social i Mitrovicës është një mënyrë e mirë për të hapur diskutime për të gjitha komunitetet dhe për të siguruar dialog të pa censuruar.

“Në Kosovën qendrore ne jo që do ta replikojmë, por, bashkë me KFOS-in, do ta avancojmë idenë e Qendrës për Energji Qytetare. CEC në Graçanicë ofron hapësirë për të gjithë të rinjtë, gjë që është shumë e rëndësishme. Është një hapësirë e tipit bashkëkohor që do të mundësojë që të gjitha aktivitetet që do ti implementojmë të arrijnë te grupet përfundimtare, të synuara. Qendra e Energjisë Qytetare është një risi në Kosovën qendrore, ndërsa neve kemi kuptuar se Klubi Social i Mitrovicës është një ide të mirë që ne duhet ta mbajmë gjallë”, theksoi Dejan Radivojeviqi.