13. prill. 2018. | 10:26


MSC: Rrymat kulturore, ku na qojnë?



"Rrymat kulturore, ku na qojnë?" ishte emri i debatit të ri i cili është mbajtur më 11 prill në Klubin Social të Mitrovicës. Andrijana Zhivanoviq, drejtoresha e Shtëpisë së Kulturës "Stari Kolašin" dhe Predrag Radonjiq, drejtor i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, me seli në Graçanicë, folën për gjendjen e kulturës në komunitetet serbe në Kosovë.

Panelistët u dakorduan se problemi i kulturës nuk qëndron në mungesën e ngjarjeve kulturore, por se ato janë në rritje në Kosovë. "Ne kemi entuziazëm dhe vullnet, na mungojnë konsumuesit", komentoi Zhivanoviq. Në anën tjetër, Predrag Radonjiq theksoi se "ne vetë e krijojmë audiencën" dhe se përgjegjësia më e madhe është tek njerëzit që janë në krye të institucioneve, sepse ata, në radhë të parë, duhet të jenë kompetentë dhe të kualifikuar për këtë lloj pune. Lidhur me këtë, në pyetjen nëse politika dhe kultura shkojnë dorë për dore, mysafirët ranë dakord që ky bashkëveprim duhet të jetë sa më i pavarur që të jetë e mundur, në mënyrë që institucioneve dhe individëve t’iu lejohet funksionim i papenguar. Dhe pikërisht për shkak të prioriteteve të ndryshme politike, “kultura për momentin është lënë mënjanë”, komentoi Radonjiq, gjë që si paradoks është mirë sepse mundëson pikërisht këtë marrëdhënie të pavarur. Gjithashtu u theksua se "ndjekja e shijes së ulët të audiencës" paraqet problem global me të cilin përballet kultura sot dhe kundër të cilës duhet luftuar me standarde të larta kulturore dhe me repertorë jo komercialë.

Duke theksuar se e ardhmja e kulturës varet nga ekzistenca jonë, respektivisht numri i serbëve që do të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, bashkëbiseduesit përfunduan debatin me koment se ata duhet të përqendrohen në kohën e tashme dhe të përdorin kapacitetet e tyre në momentin e caktuar, në mënyrë që për audiencën të sigurohet një program kulturor sa më cilësor.