19. mars. 2019. | 09:22


Forum Future: Kemi problem serioz nëse nuk ka marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës



Marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është e domosdoshme. Marrëveshja duhet të garantojë karakterin multietnik të Kosovës, ndërsa e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve varet nga diskursi i Prishtinës dhe Beogradit. Kjo u tha në konferencën për "të ardhmen e marrëdhënieve serbo-shqiptare" e cila u mbajt në Mitrovicën e Veriut.

Surlliq: Nëse nuk ka marrëveshje, kemi problem serioz

Asistenti në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, beson në arritjen e një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës dhe thekson se nëse nuk ndodh, atëherë kemi një problem serioz sepse në planin ndërkombëtar Kosova vetëm do të rrisë frustrimin e vet për shkak të mungesës së anëtarësimit në institucionet dhe organizatat kyçe ndërkombëtare.

Ai shton se në planin e brendshëm, komuniteti serb do të vuajë në kuptimin politik, do të margjinalizohet, ndërsa në rastin më ekstrem do të rrezikohet me zhdukje.

"Interesi kryesor i Serbisë do të ishte mbrojtja dhe ruajtja e komunitetit serb si një element i rëndësishëm social dhe politik i Kosovës, ndërsa për Prishtinën është interes kryesor të rrumbullakoj tregimin e sovranitetit me anëtarësimin në organizatat kyçe ndërkombëtare", - thotë Surlliq.

Sipas tij, sovraniteti i Kosovës nuk do të rrezikohet nëse i ofrohen të drejta më të mëdha dhe autonomi serbëve në Kosovë.

"Përkundrazi, ata do të bëhen pjesë më integruese e shoqërisë. As Serbisë nuk do t’i mungojë sovraniteti nëse komuniteti shqiptar në jug të Serbisë lidhet më shumë me Prishtinën ose ndoshta përdor tekste shkollore të shtypura në Prishtinë, ose ndoshta QKS në Mitrovicë të funksionoj plotësisht në pajtim me sistemin e kujdesit shëndetësor të Serbisë", thotë Surlliq.

T’i lejojmë njerëzve të jetojnë normalisht, të besojnë në institucionet në të cilat kanë besuar deri tani, ndërsa Prishtinës dhe Beogradit i takon vetëm ta përshkruajnë këtë në një marrëveshje politike ku do të zyrtarizohej bashkëpunimin si diçka e dëshirueshme, e mirëpritur dhe që duhet të krijoj paqen dhe stabilitetin, thotë Surlliq.

Hoxha: Nuk shoh zgjidhjen përfundimtare me këto elita politike

Aktivistja civile Teuta Hoxha thotë se nuk sheh zgjidhje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë me dy elitat ekzistuese politike që kemi në Kosovë, respektivisht në Serbi.

"Thjesht, vetë fakti se këto janë dy elitat që në tavolinë kanë sjellë idenë antike të shkëmbimit të territorit dhe të krijimit të shteteve kombëtare, japim vende me shumicë serbe, marrim ato me shqiptarët dhe jemi të kënaqur me këtë. Mendoj se së paku do të duhej të ndodhte ndërrimi i elitave politike", vlerëson Hoxha.

Ajo konsideron se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është nisur në drejtim të gabuar, pasi asnjëra palë nuk iu përgjigj nevojave të shoqërisë, duke theksuar se e ardhmja e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve varet nga të rinjtë.

Sovrlliq: E ardhmja e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve varet nga diskutimi i BG dhe PR

Redaktorja e platformës "Crno beli svet" Sanja Sovrlliq thotë se e ardhmja e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve varet nga diskursi publik i Beogradit dhe Prishtinës.

"Nëse dikush ka interes që marrëdhëniet të jenë të këqija, kështu do të jetë ... Po të kishim jetë më të mirë, ne sot nuk do të diskutonim për këto çështje, por manipulimi me qytetarë është shumë më i thjeshtë kur shoqëria është e varfër dhe është ideale të hiqet vëmendjen nga e problemet e vërteta", - thotë Sovrlliq.

Ajo thekson se krizat politike shpesh janë justifikim për faktin se institucionet nuk e kryejnë punën e tyre dhe nuk merren me problemet reale të qytetarëve.

"Gjithnjë kemi kriza që lënë mënjanë jetën e njerëzve të zakonshëm ... Shoh mundësinë për të përmirësuar marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve përmes përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve", - thotë Sovrlliq.

Beha: Marrëveshja KS-SRB duhet të garantojë multietnicitetin e Kosovës

Profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë, Adem Beha, beson se Kosova dhe Serbia duhet të nënshkruajnë një marrëveshje paqe me të cilën hapet një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë dhe marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

"Kjo marrëveshje duhet të garantojë mbi të gjitha karakterin multietnik të shtetit të Kosovës. Ndarja dhe ri-vizatimi i kufijve është në kundërshtim me të gjitha investimet e bashkësisë ndërkombëtare që nga viti 1999 e këndej", tha ai.

Beha thekson se po që se ekziston një projekt i vizatimit të kufijve, zhvendosjes së popullsisë, shkëmbimit të territoreve etj. do të ishte një nga projektet më katastrofal në këtë shekull në Ballkan dhe do të bëhej automatikisht themeli i një konflikti të ri ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, respektivisht Kosovës dhe Serbisë.

Beha thekson se ideja e shkëmbimit të territoreve është e rrezikshme për vetë serbët sepse kemi një pjesë të serbëve që do të duhej të zhvendosej nga Kosova, gjë që, siç vlerëson ai, do të shkatërronte të gjitha investimet ndërkombëtare në një shoqëri multietnike.

"Shoqëritë njëkombëshe janë shoqëri që nuk mund të gjeni askund në Evropë dhe projektet e ndërtimit të shoqërive njëkombëshe kanë rezultuar me dështime. Prandaj ekzistojnë shoqëri multietnike në të gjithë Evropën dhe kjo do të duhej të ishte qëllimi i elitës politike serbe dhe shqiptare", thotë profesori i FSHP-së në Prishtinë.

Ai paralajmëron se nëse plani i Pakos së Ahtisaarit dështon dhe nëse zbatohet "Projekti i vizatimit të kufijve të ri", atëherë do të ngritët çështja e decentralizimit të pushtetit dhe fatit të pesë komunave serbe që kanë marrë kompetenca shtesë duke iu falënderuar Ahtisarit.

"Më nuk mund të llogaritet në to (në pesë komuna), në të drejtën për gjuhë - e cila është një e drejtë thelbësore për komunitetin serb në Kosovë - nuk mund të llogaritet më në këtë, e as në dhjetë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës", thekson Beha.

Në këtë situatë, sqaron Beha, flasim për ndryshim thelbësor në kornizën me të cilën janë dhënë të gjitha këto të drejta, ndryshim të planit të Ahtisarit, që u bë pjesë e Kushtetutës së Kosovës, dhe i cili pak a shumë garanton karakterin multietnik të Kosovës.

E gjithë kjo u tha në Forumin Future “E ardhmja e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve", i organizuar nga OJQ "Aktiv "nga Mitrovica e Veriut.

Konferenca u mbajt në kuadër të projektit Qendra e Energjisë Qytetare, të cilin e mbështet financiarisht Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).