19. mars. 2021. | 03:08


Ndryshimet në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve kërkojnë mobilizimin e komunitetit, por edhe të gjithë atyre që janë në anën e sundimit të ligjit



Në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve ekziston një dozë e caktuar e cinizmit. Në përgjithësi, i gjithë legjislacioni i Kosovës përcakton nivelin e lartë të garancive dhe të drejtave që komunitetet mund të kenë. Problemi qëndron aty se këto garanci dhe të drejta nuk janë zbatuar në praktikë, tha Ognjen Gogiq, menaxher i projektit “Krijimi i një Kosove dygjuhëshe” i cili zbatohet nga OJQ AKTIV, në episodin e dytë të podcast-it “Gjuha ime, e drejta ime”.

“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve u miratua në vitin 2006 dhe aty ekziston një dozë cinizmi, më duhet të them, sepse ky ligji i cili duhet të mbrojë të drejtat gjuhësore përmban shumë lëshime gjuhësore. Ekzistojnë paqartësi, gabime drejtshkrimore, duke filluar nga fakti që disa fjalë janë shkruar me shkronjë të madhe, e që në gjuhën serbe nuk shkruhen në atë mënyrë, e deri te përdorimi alternativ i shprehjes “zyrtare”. Ka, për shembull, gabime në përputhjen e gjinisë dhe numrit. Nëse e lexojmë atë ligj, do të gjenim shumë gabime, ndonëse ai do të duhet të mbrojë të drejtat gjuhësore. Kjo rezulton me komentin shpesh të dëgjuar se të drejtat dhe garancitë e dhëna pjesëtarëve të komunitetit serb janë bujare, të tepruara dhe të shumta. Çështja qëndron aty se i gjithë legjislacioni i Kosovës në nivelin sipërfaqësor vendos një nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave që komunitetet mund të kenë. Sidoqoftë, aty ekziston një problem tjetër, sepse këto garanci dhe të drejta nuk janë zbatuar në praktikë. Unë do të shkoja edhe një hap më tej, kështu që do të thosha se ai zyrtarisht u shpall si shumë bujar, shumë i gjerë. Sidoqoftë, kur konkretisht hyni në këtë ligj, atëherë shihni se ky në një mënyrë të funksionalizuar dhe të përpunuar, banalizohet dhe bëhet i pakuptimtë. Fillimisht, ai ligj thekson se gjuha serbe dhe shqipe janë të barabarta, por kur hyni në thellësi, ai përmban dispozita që e bëjnë atë barazi të pakuptimtë”, thotë Gogiq.

Ai thekson se nuk pret shumë nga Qeveria e re e Kosovës në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, posaçërisht atyre gjuhësore, sepse në të kaluarën, Vetëvendosja u zotua për heqjen e gjuhës serbe si gjuhe zyrtare.

“Nga partia që presim të formoj Qeverinë kemi dëgjuar se do të merret me çështjen e punësimit në sektorin publik dhe se do të punohet në sigurimin e përfaqësimit të mjaftueshëm të pjesëtarëve të komuniteteve në sektorin publik, dhe do të kërkojmë llogari. Ne presim që ata ta zbatojnë atë, sepse nuk është një premtim parazgjedhor por detyrimi i tyre ligjor. Ky premtim shumë qartë rrjedh nga legjislacioni dhe ata duhet ta respektojnë atë. Deri më tani, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm për ta bërë atë, por tani më ata vetë kanë premtuar”, tha Ognjen Gogiq nga AKTIV.

Gogiq thotë se, kur bëhet fjalë për Vetëvendosjen, ekziston një dozë shqetësimi sepse në vitet e mëparshme të aktiviteteve të tyre, ata sfiduan nivelin ekzistues të të drejtave të dhëna për serbët e Kosovës.

“Ne do të dalim para tyre me kërkesa të tilla. Mirëpo, kam frikë se kur bëhet fjalë për ta, ne do të duhet të mbrojmë atë që tashmë ekziston, sepse ata duan ta vënë në dyshim edhe këtë. Për shembull, Z. Kurti vite më parë tha se gjuha shqipe duhet të jetë gjuha e vetme zyrtare në Kosovë dhe se gjuha serbe të jetë gjuhë në përdorim zyrtar. Ky është një dallim i madh dhe do të thotë që serbishtja të përdoret aty-këtu. Tani duam që dygjuhësia të zbatohet vazhdimisht. Kështu, unë, jo vetëm ne si AKTIV, por të gjithë ne si pjesëtarë të komunitetit serb dhe komuniteteve jo-shumicë, presim që të kemi një problem me Vetëvendosjen në lidhje me mbrojtjen e të drejtave ekzistuese”, tha menaxheri i projektit “Krijimi i një Kosovë dygjuhëshe”.

Ai beson se kur bëhet fjalë për mbështetjen e ndryshimeve në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve komuniteti duhet të mobilizohet, por edhe të gjithë ata që janë në anën e sundimit të ligjit dhe në anën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

“Më pyetët nëse kemi mbështetje. Mund të them se kemi mbështetjen e pjesëtarëve të komunitetit serb, dhe të të rinjve që duan të punësohen në sektorin publik. Ne e dimë që në të gjithë Kosovën ka të rinj që kanë mbaruar fakultete dhe nuk mund të gjejnë punë. Një mënyrë për të zgjidhur problemin e tyre, dhe problemin e të gjithë neve, ngase nuk ka kuadër të mjaftueshëm, është të zbatojmë detyrimin për të siguruar punësim të mjaftueshëm të njerëzve në sektorin publik. Pra, kjo është një çështje për të gjithë ne, nuk është çështje vetëm e kësaj iniciative dhe e AKTIV-it, por një çështje e të gjithë komunitetit serb në Kosovë” përfundoi Gogiq.

Podcast-i në të cilin foli Ognjen Gogiq iu kushtua propozimit të përgatitur nga OJQ AKTIV për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.