26. janar. 2022. | 09:15


Njoftim për media - Empirika



Anëtarët e platformës avokuese Empirika shprehin shqetësim të thellë për ndikimin e masave të reja kundër COVID-19 të prezantuara nga Qeveria e Kosovës në lidhje me kushtet për hyrjen në Kosovë, të cilat kanë hyrë në fuqi më 22 janar 2022. Në bazë të udhëzimi administrativ të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, kërkohet një dozë e tretë e vaksinës kundër COVID-19 ose një test negativ PCR për ata që kanë dy (2) doza të vaksinës. Futja e shpejtë e këtyre masave të reja, pa asnjë afat kohor për përgatitjen e qytetarëve, po cenon rëndë lirinë e lëvizjes në këtë zonë. Ky është një tjetër model i sjelljes shqetësuese të Qeverisë së Kosovës, kur vendime si këto merren pa paralajmërim apo konsultim, duke u dhënë qytetarëve pak ose aspak kohë për të planifikuar aktivitetet e tyre në përputhje me ato vendime.

Fakti që këtë shqetësim e ndajnë edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, kryetarët e komunave dhe grupet e qytetarëve në Preshevë e Bujanoc, si dhe pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës, flet për momentin, përmbajtjen dhe zbatimin e gabuar të vendimit. Studentët, personat që duhet të udhëtojnë në Kosovë dhe jashtë Kosovës për arsye të ndryshme, si dhe individët të cilët së fundi kanë marrë dozën e dytë të vaksinës dhe për rrjedhojë nuk janë kualifikuar ende për dozën e tretë (gjashtë muaj pas dozës së dytë), personat të cilët për shkaqe shëndetësore nuk mund të vaksinohen, mbajnë barrën më të madhe të pasojave negative të masave të reja. Për më tepër, për shkak të testeve të shtrenjta PCR në rajon, me masa të tilla qytetarët me mundësi të kufizuara ekonomike do të preken në mënyrë disproporcionale. Së fundi, ky vendim mund të ketë potencialisht efekt negativ në dekurajimin e pjesëtarëve të komunitetit serb të Kosovës që të udhëtojnë në Serbi për vaksinim, gjë që do të zvogëlojë edhe më tej kapacitetin për një përgjigje adekuate shoqërore në luftë kundër pandemisë COVID-19.

Veçanërisht theksojmë se një numër i konsiderueshëm punimesh shkencore, si dhe një numër në rritje i vendeve evropiane, për situatën aktuale me epideminë janë duke adaptuar modelin e ashtuquajtur të "jetës me koronë". Duke pasur parasysh gjendjen aktuale epidemiologjike, nevojat sociale, kapacitetet shëndetësore dhe sociale etj., është plotësisht e qartë se masat e marra nga Qeveria në Prishtinë për momentin nuk janë adekuate.

Për këto arsye, anëtarët e platformës avokuese Empirika apelojnë fuqimisht tek Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojë vendimin, të marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga komunitetet dhe të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar që lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave të vazhdojë pa pengesa, në të njëjtën kohë duke marrë hapa të arsyeshëm kundër përhapjes së mëtejshme të virusit të cilat do të minimizojnë pasojat sociale.

 

Anëtarët e Empirikës: 
Aktiv, Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike – ACDC, Qendra për të drejtat e komuniteteve jo shumicë – EMEG, Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik – FDMC, Gračanica Online, Qendra humane Mitrovicë (Humani centar), Komunikimi për zhvillimin e shoqërisë – CSD, Radio Kontakt Plus, RTV Kim, RTV Mir.