28. korrik. 2017. | 08:49 | Marija Stankovic


"Zhvillimi i sektorit privat është shans për zhvillimin ekonomik dhe paqen politike"



"Përmes zhvillimit ekonomik, duke zhvilluar sektorin privat, ne mund të arrijmë edhe paqen politike", deklaroi sot kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në konferencën "Avancimi i bashkëpunimit rajonal në sektorin e biznesit", i cili u organizua në Qendrën për Energji Qytetare, në veri të Mitrovicës.

Me këtë rast u prezantua studimi i publikuar nga OJQ Aktiv "Mundësitë dhe pengesat për bizneset në veri të Kosovës".

Një nga rekomandimet e analizës është se është e nevojshme të përmirësohet komunikimi i drejtpërdrejtë ndërmjet bizneseve dhe institucioneve të nivelit qendror.

"Problemi më i madh është se nuk ka përfaqësues të këtyre institucioneve në veri të Kosovës, ata nuk kanë kapacitete të mjaftueshme, kështu që nuk kemi zyra përfaqësuese", thotë Marija Stankovic, Menaxhere e Projektit në Aktiv.

Gërxhaliu vuri në dukje se Oda Ekonomike e Kosovës po përpiqet të punojë në dy drejtime, brenda dhe jashtë, për të arritur përparim në zhvillimin ekonomik.

"Brenda vendit, për të lobuar sa më shumë që të jetë e mundur, ashtu që ligjet mos të jenë vetëm dekorim për zyrën në qeveri, por që ato të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik të sektorit privat", tha Gërxhaliu.

Ai theksoi se shtyllë e zhvillimit ekonomik duhet të jetë sektori privat dhe jo ai publik.

"Në një vend ku sektori publik po hap vende të reja pune, e kaluara po kthehet dhe ajo nuk është garanci. Në një kontekst të tillë, të gjithë duhet të punojmë më shumë për zhvillimin ekonomik dhe për të mbështetur sektorin privat, dhe jo publik. Është e qartë se askush nuk mund ta bëjë më mirë se sektori privat. Ka vetëm dy gjëra me të cilat kjo mund të arrihet dhe ato janë sundimi i ligjit dhe i ekspertizës profesionale" thotë ai.

Në analizën e gjendjes së ndërmarrësisë në veri të Kosovës, Aktiv ka ardhur deri tek te gjeturat se mungesa e njohurive të informacionit, qoftë të sipërmarrësve apo institucioneve, është pengesë e rëndësishme në komunikimin ndërmjet bizneseve dhe institucioneve.Kjo është vënë në dukje në takimet, të cilat u organizuan në kuadër të projektit; ishte mundësia që përfaqësuesit e bizneseve nga veriu i Kosovës të shprehnin problemet e tyre tek përfaqësuesit e institucioneve të nivelit qendror.

"Për këtë arsye kemi arritur në përfundimin se shumë nga këto gabime ndodhin për shkak të mungesës së informacionit. Shumica e websiteve janë ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Madje edhe atëherë kur mund të gjejnë një site adekuat, njerëzit nuk mund të informohen, pasi gjithqka është në gjuhën shqipe, madje edhe dokumentacioni i nevojshëm ", thotë Stankovic.

Ajo gjithashtu vuri në dukje mungesën e strategjive si një pengesë për të zgjidhur problemet e akumuluara në zhvillimin e sipërmarrjes.

"Strategjia për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor ekziston, por shtetet nuk i kanë inkorporuar këto strategji në legjislacionin e tyre dhe në veçanti, ata nuk i kanë marrë paraysh veçoritë që ekzistojnë brenda vetë shteteve", thotë Stankovic.

Rekomandohet në studim, ndër të tjera, ofrimi i mbështetjes institucionale në dispozicion në nivel lokal dhe shërbimeve këshillimore teknike për bizneset në pjesën veriore të Kosovës; qasje më të mirë për bizneset lokale në financat e nevojshme për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e aktiviteteve të tyre; përmirësimin e mbrojtjes ligjore të pronës dhe biznesit përmes forcimit të  sistemit të sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës; mbështetje për zhvillimin e strategjive efikase për rritjen e konkurrencës së bizneseve nga veriu në tregun më të gjerë të Kosovës, si dhe nxitjen e bashkëpunimit pozitiv ndëretnik ndërmjet bizneseve.

Gjithashtu në kuadër të projektit është publikuar dhe broshura "Si të regjistrohet një biznes në Kosovë" i cili përmban informacione se si të regjistrohet një biznes dhe të menaxhohet biznesi. Një numër takimesh u organizuan me Odën Ekonomike të Kosovës, me përfaqësuesit e institucioneve të nivelit qendror, pasi sipërmarrësit nga veriu i Kosovës vënë në dukje problemet me të cilat ballafaqohen në biznesin e tyre. Në pajtim me këtë, janë identifikuar gjashtë institucione relevante me të cilat janë mbajtur takime: Administrata Tatimore e Kosovës, Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Oda Ekonomike Amerikane, Agjensioni Kosovar i Standardizimit, Agjensioni Kosovar për Investime dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve.

Konferenca është mbajtur në kuadër të projektit "Avancimi i bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të veriut të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Kosovës", i cila zbatohet nga OJQ Aktiv në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe mbështetjen financiare të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.

/

14. mars. 2017. | 11:37

*

16. korrik. 2015. | 4:41

*

21. korrik. 2015. | 12:08