1. prill. 2019. | 11:51


Konferenca: Statusi i të drejtave të pakicave në Kosovë - sfidat dhe pengesat



Më 29 mars, OJQ Aktiv ka mbajtur një panel diskutimi mbi sfidat dhe pengesat që hasin komunitetet joshumicë në Kosovë.

Shefi i sektorit për politika praktike të Aktivit, Caleb Waugh, ka prezantuar gjetjet kryesore të raportit "Gjendja e të drejtave të pakicave në Kosovë - Sfidat dhe Pengesat". Ai vuri në dukje sfidat më të rëndësishme, të cilat janë kthimi i personave të zhvendosur, qasja e vështirë në institucione, "ikja e qetë" e theksuar, mosrespektimi e të drejtave për përdorim të gjuhës dhe përfaqësimi i ulët i komuniteteve në administratën publike në Kosovë. Lidhur me të drejtën për përdorim të gjuhës së tyre, Waugh tha se në bazë të legjislacionit të Kosovës gjuha serbe dhe ajo shqipe janë të barabarta, por në praktikë nuk është kështu.  

Ardian Arifaj, këshilltar politik i Presidentit të Kosovës ka përmendur nismën për themelimin e Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, për të cilën beson se do të mbështetet nga mediat, komunitetet dhe përfaqësuesit fetarë. Ai mendon se është e nevojshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e parapara me Marrëveshjen e Brukselit dhe se zbatimi i tyre do të reflektohej në marrëdhënie pozitive ndëretnike.

Dejan Radivojeviq, drejtor ekzekutiv i Forumit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik, shtoi se komuniteti serb është i hutuar nga zhvillimet aktuale dhe procesi i dialogut. Ai mendon se ka mungesë të përfaqësimit të mjaftueshëm të komunitetit serb që reflektohet në të gjitha nivelet. Ai vë në dukje se ka disa organizata që merren me çështjet e komunitetit serb, por nuk ka presion të mjaftueshëm politik për të zgjidhur këto probleme.

Gazetari Darko Dimitrijeviq tha se kapacitetet e Këshillit Këshillëdhënës për Komunitete janë të kufizuara, duke përfshirë kapacitetet e sekretariatit të tij dhe se buxheti i ndarë për Këshillin është i pamjaftueshëm. Sa i përket të drejtave pronësore, ai theksoi se situata më e keqe është në rajonin e Pejës. Lidhur me praninë e serbëve në Policinë e Kosovës në këtë qytet, ai tha se janë të punësuar vetëm dy. Kjo nuk pasqyron përfaqësimin etnik dhe çon në mungesë të besueshmërisë në institucione - përfundoi Dimitrijeviq.