20. shkurt. 2019. | 11:16


Perceptimet e ndërsjella të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë



OJQ "Aktiv" ka organizuar një panel diskutimi lidhur me atë se si serbët dhe shqiptarët në Kosovë shohin njëri-tjetrin dhe si mund të kontribuohet në bashkëjetesë të përbashkët më të mirë të dy popujve në të ardhmen.

Shefi i Zyrës së Aktivit në Prishtinë, Boban Simiq, paraqiti rezultatet e hulumtimit "Perceptimet e ndërsjella të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë", i cili u zhvillua në gjysmën e dytë të vitit 2018. Ndër gjetjet më interesante, u theksua se 80% e qytetarëve serbë dhe shqiptarë të anketuar shprehën gatishmërinë për të pranuar një formë potencialisht më të afërt të bashkëpunimit me anëtarët e kombësisë tjetër.

Publicisti dhe analisti Shkëlzen Maliqi vlerësoi se kur flitet për distancën etnike, ajo është e madhe dhe se gjithnjë ka qenë më e theksuar te serbët. Ai theksoi se për vite me radhë sundon një propagandë shumë e fortë anti-shqiptare, e cila paraqitet në shtypin e verdhë në Beograd dhe tha se shtypi këtu është më i matur.

"Njëzet vjet janë megjithatë, njëzet vjet, situata nuk është e njëjtë si më parë. Pragmatizmi mbizotëron, paragjykimet vazhdojnë, por ndoshta ka ardhur deri te lodhja dhe të gjithë e dimë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë dhe se marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve duhet të përmirësohen", tha Maliqi.

Nga ana tjetër, gazetari Darko Dimitrijeviq nuk pajtohet me Maliqin dhe thotë se jotoleranca është i ndërsjellë dhe se intensiteti varet nga vendi, duke përmendur shembujt e Gjakovës dhe Deçanit.

"Mendoj se në këto vende fotografia është krejt e kundërt. Serbët ende nuk janë të mirëseardhur në Gjakovë, në të kaluarën shpesh ka pasur probleme në Deçan. Ende ekziston një lloj jotolerance dhe mendoj se është i ndërsjellë, nuk do të favorizoja asnjërin komunitet në këtë rast, gjithçka varet nga mjedisi", përfundon Dimitrijeviq.

Analisti politik dhe profesori i shkencave politike Belul Beqaj dhe drejtori ekzekutiv i OJQ-së "Aktiv", Miodrag Milliqeviq, konsiderojnë se paaftësia e politikanëve për të trajtuar më seriozisht problemet e Kosovës është një nga shkaqet kryesore të thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve të këqija midis serbëve dhe shqiptarëve.

"Nga këndvështrimi i dikujt që është apolitik dhe duke shikuar këto gjetje, vijmë te një fakt shumë të rëndësishëm, e ky është që në përgjithësi popullata është thellësisht e pakënaqur me elitat politike në Kosovë, pavarësisht nga komuniteti prej të cilit janë dhe pavarësisht nga funksioni që ata kryejnë. Po të isha politikan, këto rezultate do të më shqetësonin tej mase, por jam po aq i sigurt se kjo absolutisht nuk i prek ata", tha Milliqeviq.

Pajtimin eventual i të gjithë neve me ndarjen e Kosovës, Belul Beqaj e sheh si shpërblim për udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi për politikë të keqe.

"Nëse ne pajtohemi me të huajt se e vetmja zgjidhje është të ndajmë Kosovën e të shkojmë të bashkuar në Evropë është anakronizëm, e kundërta... Çfarë bëjmë ne? Ne padyshim këtij lidershipi, përveç budallaqeve të cilat i kanë prodhuar me seri, neve iu japim dhuratë për politikën e keqe brenda kufijve të tyre", përfundon Beqaj.