27. prill. 2018. | 08:30 | Milos T.


Marrëveshja e Brukselit – sa është larg kompromisi?



Pesë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit, serbët nuk janë të integruar thelbësisht në shoqërinë kosovare dhe me krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe do të shuhen komunat serbe dhe mbi 20,000 serbë mund të mbeten pa pagë, u tha në debatin e Klubit Shoqëror të Mitrovicës që u mbajt mbrëmë në Mitrovicën e Veriut.

Analisti nga Prishtina, Behlul Beqaj, thotë se falë marrëveshjes së Brukselit janë hequr strukturat paralele, se ka pasur një integrim të gjyqësorit etj. por mendon se në thelb nuk ka ardhur deri te ajo që serbët t’i përjetojnë institucionet e Kosovës si të tyre.

“Për këtë nuk i fajësoj serbët, mendoj se deri te një gjendje e tillë ka ardhur për shkak se shumica nuk ka gjetur përgjigje në shumë pyetje që kanë të bëjnë me problemet e serbëve, kërkesat e serbëve dhe interesat e serbëve", - tha Beqaj.

Në këtë drejtim, thekson përgjegjësinë e shumicës, sepse, siç thotë, shqiptarët thjesht nuk kanë gjetur zgjidhje për shumë çështje të hapura që lidhen me interesat dhe kërkesat e serbëve.

"Integrimi në thelb mendoj se është larg nga të qenit i realizuar në përputhje me interesat e atyre që jetojnë në këto komuna, dhe se a do të ketë disa ndryshime, mendoj se kjo do të varet nga shumë gjëra, gatishmëria që shkaktarët e kësaj situate ta rishqyrtojnë vetveten dhe të gjithë procesin në kuptim të revidimit të dështimeve dhe pengesave që çuan deri në këtë gjendje"- thotë ai.

Beqaj thekson se mendon se integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare në kuptim thelbësor është larg nga të qenit i realizuar.

Beqaj, në debatin që Aktiv ka organizuar në klubin shoqëror të Mitrovicës në kuadër të projektit të mbështetur nga KFOS, tha se dialogu në Bruksel rrezikohet më së shumti nga bartësit e dialogut e jo nga qytetarët për të cilët po bisedohet.

Ish ministri në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, në të njëjtën ngjarje, komentoi mbi gjetjet e sondazhit sipas të cilit 40% e të anketuarve në veri të Kosovës nuk mbështesin Marrëveshjen e Brukselit, ndërsa një numër i njëjtë i njerëzve nuk kanë asnjë qëndrim mbi këtë çështje.

"Serbët e Kosovës nuk kanë informata të mjaftueshme, përndryshe përqindja e atyre që janë kundër Marrëveshjes së Brukselit do të ishte shumë më i lartë. BKS shpesh përmendet si një fitore e madhe për komunitetin serb, ashtu siç u ishte paraqitur dikur shqiptarëve pavarësia e Kosovës ... E vërteta është shumë larg kësaj"- thotë Rashiq.

Sikur këta 40 për qind që nuk kanë qëndrim ta dinin se në momentin e krijimit, nënshkrimit ose përfshirjes në sistemin ligjor të Kosovës, kur të themelohet BKS, nga ai moment në institucionet serbe, komunat serbe do të pushojnë së vepruari në Kosovë, atëherë do të kishte shumë më tepër njerëz kundër marrëveshjes së Brukselit, vlerëson Rashiq.

Ai përmend shembullin e komunës serbe të Prishtinës, e cila është e zhvendosur në Graçanicë dhe thekson se vetëm në këtë komunë janë të punësuar 1250 punëtorë.

"Sikur qytetarët ta dinin, ata 40% të papërcaktuar në Kosovën e veriut, që marrëveshja ligjërisht e obligueshme nënkupton shuarjen e institucioneve serbe, unë jam i sigurt se 80% do të ishin kundër Marrëveshjes së Brukselit", thekson Rashiq, i cili është gjithashtu kryetar i Partisë Progresive Demokratike.

"Problemi është se negociatat po paraqiten si fitore, dhe çka është më tragjike, si fitore për serbët e Kosovës. Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se me krijimin e BKS, serbët e Kosovës absolutisht humbasin. Ne nga ky proces humbim shumë më tepër se sa fitojmë"- thotë Rashiq.

Ai pyeti nëse është fare e ditur se çfarë do të thotë që 1250 njerëz të humbin vendin e punës në Graçanicë brenda një nate ose brenda një muaji.

"Është një gjenocid ekonomik dhe fatkeqësi. Sipas disa informacioneve, rreth 22,000 punonjës punojnë në vetëqeverisjet lokale serbe që janë të zhvendosura në Kosovë. Ne mund të mbesim, brenda natës, pa 22,000 paga ose 22,000 shtylla të ekzistencës. Ky është problemi më i madh. Nuk duhet të festojmë diçka që është “një mace është në thes” dhe një diçka që si institucion sigurisht nuk mund të punësojë mbi 20,000 punëtorë", - thotë Rashiq.

Sipas tij, qytetarët vazhdimisht bombardohen me dezinformata dhe shmangie të problemeve thelbësore që do të lindin pas themelimit të BKS.

Ai thekson se në jug të Kosovës ka një apati që, sipas fjalëve të tij, është e pashpjegueshme dhe se njerëzit jetojnë nga data 1 deri me datë 5 të muajit kur marrin pagën, e cila ndonjëherë është kategori sociale.

"Deri në datën 5 të muajit është mirë, deri sa të paguajnë faturat. Pas kësaj ... Për fat të keq, unë kështu i shoh serbët", tha Rashiq, dhe theksoi se nëse ekonomia nuk zhvillohet, mbijetesa e serbëve në Kosovë do të vihet në pikëpyetje.

Rashiq dhe Beqaj folën edhe për tema tjera që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Brukselit, por edhe iu  përgjigjën pyetjeve të publikut që mori pjesë në debatin e sotëm.