30. qershor. 2017. | 10:35 | Andrijana Popović


PROMOVIMI I LIBRIT ’’EVERESTI IM: ËNDRRA DHE REALITETI’’, DRAGANA RAJBLOVIC



Të mërkurën, më 21 qershor, në Qendrën Art Aktiv u mbajt promovimi i librit, "Everesti im - ëndrra dhe realiteti", nga Dragana Rajblovic.

Dragana Rajblovic është gruaja e parë nga Ballkani dhe për momentin gruaja e vetme në rajon, e cila u ngjit në majën më të lartë të botës – Malin Everest (8850 m), në Himalaje. Nëntë vjet pas kësaj ngjitje të vitit 2007, shënimet mbi këtë eksperiencë janë përshtatur në librin "Everesti im - ëndrra dhe realiteti", publikuar në prill të këtij viti. Ky është një libër mbi përvojën personale, por dhe përvojën personale të një gruaje, poashtu. Së bashku me anëtarët meshkuj të grupit, ajo kaloi shumë ditë në kampin bazë, në Tibetin e largët, duke pritur për momentin e favorshëm për të ngjitur Everestin.

Përveç Everestit, libri gjithashtu përshkruan ec-ngjitjen në Cho Oyu (8200 m), majën e gjashtë më të lartë në botë dhe shumë male tjera që u pushtuan në periudhën përgatitore, para ngjitjes në majën më të lartë/çatinë e botës. Si pjesëmarrëse e ekspeditave të ndryshme, ajo vizitoi pjesë të ndryshme të botës, dhe ky është një libër dhe udhërrëfyes, i cili reflekton përshtypjet e saj për njerëz të ndryshëm të cilët ka takuar – sherpatë, tibetianët dhe historitë e tyre. Për më tepër, ky është një udhërrëfyes malor, me tekst shtesë në përmbyllje për aklimatizimin dhe përshtatjen e trupit në kushte të lartësive të larta. Ky libër shërben si motivim dhe inkurajim për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme, se çdo gjë është e mundur, duke përfshirë edhe realizimin e ëndrrave të tyre.

Kur është fjala për përgatitje të veçanta para udhëtimit, Dragana u shpreh se përgatitja dhe organizimi i mirë janë të rëndësishme, sepse në këto lartësi nuk ka vend për gabime. Ajo shpalosi se ndërmarrje të tilla të ngjitjes realizohen vetëm nëse udhëhiqen nga zemra dhe mendja.

Rajblovic është një nga vetëm njëqind gratë në botë që kanë pushtuar majën më të lartë. Kur ajo u ngjit në Malin Everest, kishte 17 vende në botë me gra pushtuese të kësaj maje.

Ajo vuri në dukje se ngjitja në Everest është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë dhe e lodhshme. Kishte momente kur mendoja të hidhja çantën e shpinës dhe të heqja dora nga gjithçka. Megjithatë, në ato momente kritike, mendoja pse duhet të heq dorë për këto dhjetë orë që do t’i kujtoj gjatë tërë jetës - tha Rajblovic. Në lartësi mbi 8,000 metra, ka vetëm 30 për qind të oksigjenit, dhe frymëmarrja vështirësohet. Përvoja më e vështirë, megjithatë, ishte takimi me ata që qëndruan përgjithmonë në Himalaje, duke ringjallur momentet e Rajblovic nga ngjitja. Ajo ndau me audiencën historitë rreth alpinistëve, të cilët i kishin hasur gjatë ngjitjes.

Ajo kujton kohën kur po i kalonin këta të fundit dhe i dukej sikur po flinin, të ngrirë. ,,Siç më thanë dhe para udhëtimit, e dija se do t'i shihja ato, dhe mendova se do të ndikonte në mua. Megjithatë, u mësova me këto skena. Pak metra nga ne, një djalë vdiq sepse përjetoi edemë/të ënjtje në tru; ai mbeti aty përgjithmonë, por nëse do të hiqte dorë me kohë, do të mund të mbijetonte. Nuk ka ekip shpëtimi në Himalaje, kështu që të gjithë duhet të dëgjojnë trupin e tyre - këshillon alpinistja serbe.

Dragana Rajblovic u përpoq të rikonstruktonte natën e ngjitjes për audiencën. Ata filluan ngjitjen në ora 11 në mbrëmje dhe në fund arritën majën të nesërmen në orën 10:00 të mëngjesit. Pas ngjitjes gjatë natës në një temperaturë prej -40, grupi ishte i lumtur sepse në fund kishin arritur qëllimin e tyre.

Në promovimin e librit, audienca gjithashtu kishte mundësinë të shihte një film në lidhje me ekspeditën "Everest 2007", e cila ngazëlleu këtë të fundit. Shfaqja e filmit u pasua me komente dhe pyetje nga audienca, e cila ishte entuziaste për Draganën dhe historinë e saj.

E pyetur nëse ajo mendoi të hiqte dorë në ndonjë moment, Dragana shpjegoi se ajo nuk dëshiroi ta bënte atë dhe gjatë momenteve më të rënda. Siç tha ajo, në momente të tilla, është e domosdoshme të dëgjosh trupin tënd dhe ta guxosh veten.

Për të motivuar të rinjtë që duan të merren me këtë fushë dhe për t'i inkurajuar ata, Dragana tha se gjëja më e rëndësishme është të bësh atë që e do, dhe nëse e do vërtet, do të realizohet.

Në përmbyllje, Dragana theksoi se libri "Everesti im: ëndrra dhe realiteti" pasqyron historinë e saj mbi ngjitjen në majën e Everestit, përvojën e saj personale, dhe se qëllimi kryesor i saj ishte të përmbushte ëndrrën e saj, të cilën dhe e bëri.

Diskutimet në Klubin Social të Mitrovicës organizohen si pjesë e projektit ‘’Të sigurojë kornizë të qëndrueshme për pjesëmarrje qytetare dhe vendimmarrje demokratike në nivel lokal dhe qendror institucional në Kosovë’’.

Ky grant financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

/

14. mars. 2017. | 11:37

*

16. korrik. 2015. | 4:41

*

21. korrik. 2015. | 12:08