16. gusht. 2021. | 08:54


Një epidemi e incidenteve të sigurisë



Përgjegjësia, aftësia dhe gatishmëria e shumicës për të pranuar komunitetet joshumicë është një tipar kryesor i shoqërive demokratike, i bazuar në respektimin e parimeve universale të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mekanizmave të shumtë të mbrojtjes institucionale të përfshira në kornizën legjislative të Kosovës. Përkundër kalimit të konsiderueshëm të kohës, stimujve të rëndësishëm financiarë nga bashkësia ndërkombëtare, stabilizimi i kushteve socio-politike dhe përmirësimi i marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve duket se nuk kanë qenë kurrë prioritet i elitave politike në Kosovë.

Tashmë për dy dekada, jemi dëshmitarë të incidenteve të përsëritura të sigurisë, ndaj të cilave janë ekspozuar pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë. Në vend të stabilitetit dhe një mjedisi të sigurt, si parakushte për avancim shoqëror, jemi dëshmitarë të periudhave ciklike të destabilizimit të rrethanave të brendshme, toneve të vrazhda dhe retorikës inflamatore të përfaqësuesve të caktuar politikë. Mungesa e reagimeve publike të bartësve kyç të pushtetit, por edhe të elitave politike brenda Kosovës ndaj incidenteve të shumta të regjistruara deri më tani, sulmeve fizike, por edhe retorikës shumë të ashpër, dëshmitarë të së cilës jemi në gjashtë muaj të këtij viti, është shqetësuese. 

Është e pamundur të gjendet ndonjë justifikim për 48 incidente të ndryshme, të raportuara nga koordinatorët në terren të Grupit Punës për Përgjigje të Shpejtë që mbulon një periudhë gjashtëmuajshe të incidenteve të sigurisë ndaj komunitetit serb, dhe ku një numër i konsiderueshëm dëmesh është në pronën e Kishës Ortodokse Serbe. Me këtë komunikatë dhe ilustrim nuk mbulohen incidentet e shumta që ndodhën pas 30 qershorit, të cilat do të jenë subjekt i raportit vjetor të konsoliduar. Veçanërisht janë shqetësuese sulmet e shumta fizike ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë rastin e të kthyerës Dragica Gashiq në Gjakovë, e cila ka qenë nën presion të papranueshëm dhe të pakuptueshëm që nga kthimi i saj. Sulmi i fundit në një seri sulmesh fizike është sulmi ndaj Nikolla Periqit, banor i fshatit Zebnicë, që është një rast i papranueshëm në çdo kuptim dhe kërkon, përfshirë rastet e mëparshme, një reagim urgjent dhe të menjëhershëm të institucioneve kompetente në gjetjen dhe ndëshkimin e kryesve të këtyre veprave.

Pa hyrë në motive politike në lidhje me pikëpamjet e ndryshme mbi procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve, e pakuptueshme është heshtja e zëshme e zyrtarëve kryesorë të qeverisë qendrore dhe lokale, por edhe publikut të gjerë në lidhje me incidentet e shumta të sigurisë drejtuar pjesëtarëve të komunitetit serb. Për më tepër, është një fakt i trishtueshëm që pas dy dekadash të plota, interesat politike dhe partiake vendosen mbi nevojat e popullatës, e cila, pavarësisht çdo gjëje, përpiqet të sigurojë vetëm një jetë të mirë, të privuar nga çdo luks. Mjedisi i paqëndrueshëm dhe i pasigurt në disa zona të Kosovës padyshim që duket dekurajues për komunitetin joshumicë dhe në këtë pikë ngritë të paktën një pyetje: A jemi ne si shoqëri të papërgatitur për të tejkaluar paragjykimet, për të hedhur poshtë stereotipat dhe për të pranuar faktin që ne ndajmë të njëjtën hapësirë, thithim të njëjtin ajër dhe se të gjithë ne gëzojmë të drejta të barabarta pavarësisht fesë, kombësisë apo ndonjë përkatësie tjetër? Për më shumë se një dekadë, e njëjta histori është përsëritur në lidhje me teorinë e mirë dhe praktikën e keqe sa i përket aplikimit të mekanizmave të ndryshëm për mbrojtjen e komuniteteve jo shumicë në Kosovë. Sidoqoftë, kërkimi i një justifikimi në një formulim të tillë po kërkon mbulesë për institucionet që ndër vite kanë shkelur të drejtat e garantuara, në këtë rast, të serbëve si komunitetit më të madh jo-shumicë në Kosovë.

Në vend të rekomandimeve që pothuajse asnjëherë ose rrallë miratohen nga kjo komunikatë, kërkojmë që organet hetimore të kryejnë hetime të plota të të gjitha rasteve të pazgjidhura me një fokus të veçantë në sulmet fizike, rezultati i të cilave do t'i raportohet publikut çdo muaj ose tre muaj.

I bëjmë thirrje politikanëve kryesorë në Kosovë të refuzojnë retorikën e së kaluarës dhe të përqendrojnë energjinë e tyre në përmirësimin e pozitës së komunitetit serbe dhe komuniteteve tjera jo-shumicë me fokus të veçantë në sigurinë personale dhe mbrojtjen institucionale, pa të cilët çfarëdo iniciative për ndonjë përparim tjetër është e pakuptimtë. 

I bëjmë thirrje Kryeministrit, Presidentes dhe institucioneve qendrore të Kosovës që të dënojnë publikisht të gjitha incidentet dhe të avokojnë për një hetim efektiv që do të eliminonte spekulimet e mundshme publike në lidhje me motivet dhe autorët e krimeve të caktuara. 

I bëjmë thirrje përfaqësuesve të Listës Serbe, si pjesë e qeverisë së Kosovës, të këmbëngulin në mbrojtjen institucionale të komunitetit serb, por edhe të komunikojnë të drejtpërdrejtë me Kryeministrin, Drejtorin e Policisë dhe institucionet përkatëse për çështjet e sigurisë në mjedise multietnike me rreziqe specifike të sigurisë.

Kërkojmë nga autoritetet lokale, përfaqësuesit e policisë, përfaqësuesit e komuniteteve lokale në mjediset me sfida të larta të sigurisë që të veprojnë në mënyrë pro aktive me takime të rregullta mujore për të vlerësuar rreziqet e sigurisë në ato mjedise.

I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet në dënimin publik të sulmeve ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe të kërkojë nga institucionet kompetente zbatimin e qëndrueshëm të mekanizmave institucional për të mbrojtur të drejtat e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera jo-shumicë dhe përgjegjësi nga institucionet qendrore dhe lokale për të përmirësuar sigurinë në mjedise multietnike.

I bëjmë thirrje mediave që përmes raportimit të përgjegjshëm, të bazuar në fakte, të përjashtojnë çdo mundësi të keqinterpretimit në publikun e gjerë.

13 gusht 2021

Anëtarët e Empirikës:

Aktiv

Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike - ACDC

Qendra për Paqe dhe Tolerancë – CPT

Forumi për zhvillim dhe bashkëpunim multietnik – FDMC

Qendra Humane në Mitrovicë

Lighthouse Mitrovica

Komunikimi për zhvillimin e shoqërisë – CSD

Produkcioni New Press

Radio Kontakt Plus

Radio KiM

RTV MIR

Graçanicë Online

Radio Gorazhdeci

Rrjeti për Aktivizëm Qytetar

EMEG

*

28. korrik. 2015. | 3:09

/

12. shkurt. 2018. | 3:20

Call for Interns

10. janar. 2018. | 3:19

/

19. tetor. 2021. | 9:09

Sporazoom: Nga stikeri në stiker

13. tetor. 2021. | 5:22

Stardust Mitrovica: hapja e eventit

4. tetor. 2021. | 1:55

*

1. tetor. 2021. | 10:32

OPEN: njoftimi për shtyp

23. shtator. 2021. | 8:44