26. shkurt. 2021. | 12:50


Albin Kurti do të rishikojë qëndrimin ndaj "qëllimeve joreale", Lista Serbe pjesë e qeverisë së ardhshme



Ashtu siç pritej fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, ashtu pritet që Albin Kurti të ndryshojë qëndrimin ndaj "qëllimeve joreale" të politikës së tij. Gjatë debatit "Çka pas zgjedhjeve" u konstatua që Albin Kurti si kandidati më serioz për Kryeministrin e Kosovës do të rishikojë qëndrimet e tij rreth përjashtimit të Listës Serbe nga Qeveria e ardhshme ose margjinalizimin e dialogut me Beogradin.

Debati "Çka pas zgjedhjeve" u mbajt më 24 shkurt si pjesë e projektit të Klubit Social të Mitrovicës të zbatuar nga OJQ AKTIV me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pjesëmarrësit në debat ishin Behlul Beqaj, analist politik dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë, pastaj Petar Milletiq, ish Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së PSG, dhe Goran Avramoviq, kryeredaktor i RTV Kim. Debati u moderua nga Ognjen Gogiq, menaxher i projektit nga OJQ AKTIV.

Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të partive të mazhorancës, Behlul Beqaj vlerësoi se shkaku i fitores bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje duhet të kërkohet në shpërthimin e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj partive që më parë udhëhoqën Kosovën. Edhe pse formimi i Qeverisë nuk do të jetë i thjeshtë sepse në të njëjtën kohë duhet të sigurohet zgjedhja e Presidentit, Beqaj beson se Qeveria e re do të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje me mbështetjen e përfaqësuesve të komuniteteve jo-shumicë.

Beqaj pret që presidenti i ri i Kosovës të jetë Vjosa Osmani, e cila në zgjedhje fitoi numrin më të madh të votave në krahasim me liderët e listave të tjera së bashku. Mbështetja e nevojshme për zgjedhjen e Osmanit do të jepet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për ish-anëtaren e saj. Sipas Beqaj, zgjedhjet e reja do të çonin në një dobësim të mëtejshëm të partive të mundura. Për këtë arsye, Beqaj beson se është në interesin më të mirë të partive opozitare të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit dhe të shmangin zgjedhjet e reja, dhe të shfrytëzojnë periudhën në opozitë për t'u rikuperuar.  

Pjesëmarrësit në debat gjithashtu vlerësojnë si të pritshme fitoren bindëse të Listës Serbe në zonat me shumicë serbe. Petar Milletiq e karakterizon deklaratën e Albin Kurtit se ai nuk dëshiron të bashkëpunojë me Listën Serbe, përkundër faktit se ajo fitoi të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb, si të pakujdesshme. Lista Serbe do të jetë në mënyrë të pashmangshme pjesë e qeverisë së re, ngase është një detyrim kushtetues. Goran Avramoviq gjithashtu u pajtua me këtë parashikim, duke shtuar se në negociatat për formimin e Qeverisë së re, Lista Serbe ka "vlerë të shtuar" në mandatin e deputetëve nga komunitetet e tjera që do të jetë në favor të saj.

Milletiq beson se Lista Serbe do të jetë konstruktive gjatë formimit të Qeverisë dhe se do të ofrojë kandidatët e saj për ministra kur Kurti ta ftojë. Sidoqoftë, Milletiq beson se Lista Serbe nuk do të merret me problemet e serbëve në Kosovë, por se do të zbatojë politikën që do të miratohet në Beograd në kabinetin e Presidentit të Serbisë.

Beqaj ka një mendim të ngjashëm, duke vlerësuar se Lista Serbe nuk është një përfaqësues legjitim i serbëve në Kosovë, por i Beogradit. Legjitimiteti i Listës Serbe, siç vlerëson Beqaj, u vu në dyshim gjithashtu për shkak të indikacioneve rreth instrumentalizimit të listave të komuniteteve të tjera. Beqaj beson se lëshimet e politikanëve kosovarë ndaj pakicave kanë bërë që ata të mos ndihen rehat në Kosovë dhe institucionet e Kosovës të mos i konsiderojnë si të vetat. Sidoqoftë, instrumentalizimin e tyre nga Lista Serba Beqaj e sheh si një precedent që mund të vërë në pikëpyetje zgjidhjet e tjera kushtetuese për çështjen e të drejtave të pakicave.

Milletiq vlerëson se mbështetja e Listës Serbe për lista të caktuara të komunitetit boshnjak dhe rom është një inxhinieri klasike e zgjedhjeve. Milletiq mendon se kjo është e rrezikshme sepse në zgjedhjet e ardhshme, partitë shqiptare mund të bëjnë diçka të ngjashme me një parti serbe. Milletiq kujton se sistemi i diskriminimit pozitiv u krijua për shkak të komunitetit serb në mënyrë që ai të kishte përfaqësues të zgjedhur nga komuniteti i tij. Për shkak të kësaj, garancitë kushtetuese që kanë serbët mund të rrezikohen. Milletiq beson se kjo nuk ka të bëjë me solidaritetin e pakicave dhe dëshirën e Listës Serbe për të mbështetur pakicat e tjera. Në vend të kësaj, Milletiq vlerëson se Lista Serbe ka vlerësuar se në dispozicion ka një tepricë votash që mund tua jap listave tjera në mënyrë që të kontrollojë një numër më të madh deputetësh në Kuvend dhe të ketë një ndikim më të madh.

Lidhur me mbështetjen që listat e pakicave morën në komunitetet serbe, Avramoviq beson se nuk është e mundur të përcaktohet përfundimisht nëse kjo është një marrëveshje me Listën Serbe dhe uzurpim i votave të pakicave. Sidoqoftë, Avramoviq beson se ky rezultat nuk duhet domosdoshmërisht të jetë i keq, nëse deputetët e zgjedhur u kushtojnë më shumë vëmendje komuniteteve para të cilave u zgjodhën. Në atë drejtim, Avramoviq kujtoi rezultatet e mira të Adriana Hoxhiq në veri të Kosovës.

Kur bëhet fjalë për deklaratën e Kurtit se vazhdimi i dialogut me Beogradin gjendet më poshtë në listën e prioriteve, Milletiq pret që Kurti të mbetet i vendosur në qëndrimet e tij sepse kështu arriti pozitën në të cilin është tani. Avramoviq, nga ana tjetër, beson se kjo është një deklaratë për përdorim të brendshëm. Nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, dialogu do të niset. Sidoqoftë, Avramoviq vlerëson se dialogu nuk ka perspektivë që të çojë në rezultate thelbësore në të ardhmen e afërt për shkak të proceseve zgjedhore në Serbi dhe Kosovë. Avramoviq gjithashtu beson se administrata e Biden nuk ka hequr dorë nga marrëveshja e Uashingtonit, veçanërisht jo në pjesën që korrespondon me politikën e jashtme amerikane, pra që Beogradi dhe Prishtina nuk do të lirohen nga detyrimi për zbatimin e saj.

VIDEO